Me kërkesën urgjente ngritjen e koeficientit të pagave për së paku 30% dhe nga ky shtator, Jasharaj takon Kusarin
Në vazhdën e takimeve me shefat e grupeve parlamentare, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, është takuar me shefen e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, në ambiente të Kuvendit.
Jasharaj në fillim të këtij takimi ka treguar për “kërkesat dhe detyrat konkrete që kanë dalë nga takimi i 30 gushtit me kryetarët e kuvendeve komunale të sindikatave të universiteteve, duke shtuar se në kuadër të angazhimeve kanë dërguar kërkesë zyrtare Kryeministrit Kurti dhe ministres Nagavci, që në mënyrë urgjente të ngritet vlera e koeficientit të pagave për së paku 30 % dhe kjo të vlejë që nga muaji shtator i këtij viti dhe të realizohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me kthimin e vlerës prej 0.5 % edhe për 15 vitet e para të përvojës së punës”.
Ndërkaq, koordinatori për organizim të brendshëm, Ymer Ymeri, e ka njoftuar Kusari-Lilën edhe me angazhimet e bëra lidhur me përgatitjen e draftit të Kontratës Kolektive të Arsimit.
“Po ashtu, u diskutua edhe për nismën qytetare për mbledhjen e numrit të duhur të nënshkrimeve për t’ia drejtuar deputetëve që të bëhen përmirësime në ndryshimet e Ligjit për Skemat Pensionale të financuara nga shteti, gjegjësisht që të kthehet pika 6 e nenit 8, e cila arsyeshëm ua njihte vitet e 90-ta si vite kontributpaguese, e po ashtu që si vite kontributdhënëse të njihet e tërë koha nga janari i vitit 1990 e deri në gushtin e vitit 2002, kur ka filluar të funksionojë Trusti Pensional. SBASHK ka kërkuar mbështetjen e deputetëve të VV-së që ta votojnë këtë kërkesë, e po ashtu të ndihmojnë për dialog e negocim me MASHTI-n lidhur me Kontratën Kolektive të Arsimit”.
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së ka kërkuar që çështja e iniciuar për Ligjin e Skemave Pensionale të financuara nga shteti t’u dërgohet edhe me shkrim, duke u shprehur se do të angazhohen edhe për dialogun lidhur me Kontratën Kolektive të Arsimit.
“Në këtë takim është biseduar edhe për çështje të tjera në arsimin e Kosovës. Në këtë bashkëbisedë, kontribut kanë dhënë edhe deputetet znj. Arjeta Fejza, znj. Arjeta Rexhepi dhe deputeti Ardian Gola”, ka njoftuar SBASHK-u.