Fried: Qeveria e Kosovës po e bën Beogradin të duket si palë e dëmtuar
Ish-ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, Daniel Fried, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se nuk e kupton pse Qeveria e Kosovës po përplaset me Shtetet e Bashkuara, duke shtuar se me veprimet e veta, ajo po e bën Qeverinë në Beograd të duket si palë e dëmtuar, diçka që ai nuk ka besuar se mund të ndodhte.
Diplomati amerikan i ka bërë këto deklarata teksa ka komentuar veprimet e fundit të Qeverisë së Kosovës, duke përfshirë mbylljen e strukturave paralele dhe të degëve të Postës së Serbisë në veri, dhe synimet për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër.
Sipas tij, nuk është në interesin e askujt që Kosova të ketë mosmarrëveshje me miqtë e vet.
Në intervistën e realizuar në margjina të forumit të sigurisë, Globsec, të mbajtur në Pragë, Fried ka folur edhe për ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor, dhe për qasjen e SHBA-së ndaj rajonit, varësisht kush fiton zgjedhjet presidenciale amerikane, në nëntor.