Vuçiq: Dy institucionet më të rëndësishme të Serbisë funksionojnë në Kosovë, shëndetësia dhe arsimi
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot se nuk është e vërtetë që në Kosovë nuk funksionojnë institucionet serbe dhe ka thënë se janë duke funksionuar dy më të rëndësishmet, shëndetësia dhe arsimi.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, ai tha se nesër do ta vizitonte Mitrovicën, nëse fuqitë ndërkombëtare ia lejojnë një gjë të tillë.
“Të shkoj atje nuk është çështje e zgjedhjes sime, por e vendimit të tyre”, tha ai dhe shtoi se “do të shkojë jo vetëm në Mitrovicë, por edhe në të gjitha vendbanimet dhe fshatrat tona në Kosovë”, transmeton Zeri.info.
Ai ka deklaruar se është shumë i pikëlluar dhe se është i pakënaqur për atë që po ndodh në Kosovë.
Ai i cilësoi si pozitive shifrat se në fillim të vitit të ri shkollor në Kosovë, 1081 nxënës të klasës së parë nga gjithsej 9700 nxënës të shkollave fillore, kanë shkuar në shkolla që punojnë sipas sistemit arsimor serb.
"Ky nuk është një numër i vogël, duke pasur parasysh situatën që kemi atje," tha ai. /Zëri