Azemi: Në Kosova B ka dy javë që s’punojnë filtrat pastrues, shtresat e pluhurit alarmante – dikush duhet të japë përgjegjësi
Visar Azemi, anëtar i kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ka thënë se KEK-u është shndërruar në ndërmarrje që i shërben sipas tij “mafisë energjetike të Albin Kurtit”.
Ai përmendi Bllokun B1 në Kosova B, ku tha që sipas informacioneve ka dy javë që nuk po punojnë filtrat pastrues. Azemi tutje foli për zvarritje të riparimit të defektit duke e ndërlidhur me keqpërdorimet në KEK.
Tutje akuzoi Qeverinë e cila tha se është shndërruar në ndërmarrje që i shërben mafisë energjetike të Albin Kurtit.
“Në KEK-un e keqpërdorimeve të panumërta të pushtetit, vijon të ketë probleme që i kushtojnë ndërmarrjes, e mbi të gjitha qytetarëve. Sipas disa informacioneve të fundit, në Bllokun B1 në Kosova B, ka dy javë që nuk po punojnë filtrat pastrues. Rezultati është një pluhur që s’është hasur këtu e 15 vjet. Shtresat e pluhurit në nivele alarmante po prekin e rrezikojnë shëndetin e mijëra qytetarëve që jetojnë në Obiliq e komunat përreth”.
“Sanimi i këtij problemi nuk kërkon kaq kohëzgjatje. Motivet e kësaj zvarritjeje nuk është që i dimë, por duke njohur praktikat e mëhershme të neglizhencës në remontin e blloqeve për arsye përfitimi të individëve të caktuar, situata bëhet e dyshimtë. Prandaj, dikush duhet të japë përgjigje e përgjegjësi, e këta përgjegjës duhet të hetohen deri në fund”.
“Është e papranueshme që KEK-u është shndërruar në ndërmarrje që i shërben mafisë energjetike të Albin Kurtit, njeriut që ka kundërshtuar çdo projekt për rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike. Edhe më e papranueshme kur kjo qytetarit sot i kushton edhe me shëndet”, ka thënë Azemi.