Ligji për Byronë, Sallahu: S’ka shanse për ndikime politike, i kemi bërë ndryshimet e duhura
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka thënë se i kanë bërë ndryshimet e duhura që i ka kërkuar Gjykata Kushtetuese në vlerësimin e saj për Ligjin për Byronë e konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.
Sallahu tha se dy muaj kanë qenë të mjaftueshme për t’i ndryshuar tri nenet që Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar se janë në shpërputhje.
“Nuk është i ngutshëm, gjykata i ka gjet në shpërputhje vetëm tri nene, për këto dy muaj kanë qenë të mjaftueshme… Kemi punuar mbi këto amendamente. Janë tri nene të caktuara. I kemi sqaru me ekspertë. I kemi plotësu për aq sa kemi pasur nevojë, nuk kanë qenë shumë problematike nenet e adresuara nga gjykata. Shumë shpejt do nisen për në Qeveri dhe Kuvend”, tha Sallahu.
“Pika e parë është e rëndësishme është reatroktiviteti, në kuptimin e reaktivitetit i ka dhënë dy propozime. Njëri të jetë në përputhje me ligjet e tjera në fuqi, ose duhet të zbatohet pamundësia objektive, që në momentin që palës i bie barra në kuptimin e provuarit. Nëse ai dokument nuk mund të gjendet nga pala, i bie që lënda pushon. Këtë koncept e kemi futur në projektligj. Secila palë ka të drejtë të kërkoj urdhër nga gjykata ku gjendet ai dokument. Nëse s’e ka atë dokument i bie që lënda pushon, konfiskimi nuk ndodhë”, vijoi ai.
Tutje ai tha se një nga ndryshimet është edhe anëtarësimi në komision, anëtarët e të cilëve do zgjidhen me konkurs, e pastaj do zgjidhen nga Kuvendi.
“Gjykata Kushtetuese i ka gjet te komisioni tre anëtarë në kundërshtim me Kushtetutën, anëtarin për parandalim të korrupsionit, një gjyqtar dhe një person tjetër i një institucioni të pavarur. Këta janë zëvendësu me konkurs, secili person ka të drejt të aplikojë dhe të zgjidhet nga Kuvendi…”, tha ai në RTV Dukagjini.
Sallahu u shpreh se nuk ka asnjë shans që të ketë ndikim politik.
“Nuk ka shans as kryesuesi as dikush tjetër të ketë ndikim politik, është e pamundshme që dikush mbi këtë agjenci për ndikim politik. I ka 71 nene, gjithçka vendoset në Gjykatë, vetëm nëse politizohen gjykatat atëherë diçka tjetër”, tha ai.