Kurti në Institutin Francez: Është një urë e re midis Kosovës dhe Francës
Kryeministri Albin Kurti, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit Arbërie Nagavci dhe zëvendësministri i Punëve të Brendshme Bardhyl Dobra vizituan Institutin Francez në Prishtinë, ku u pritën nga ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot.
Derisa u njoftua nga afër me hapësirat dhe veprimtarinë e Institutit Francez, Kurti falënderoi ambasadorin Guerot për mikpritjen dhe për mundësinë e njohjes së qytetarëve të Kosovës me Francën dhe frëngjishten.
Ndërkaq nëpërmjet një lidhjeje elektronike që u realizua gjatë vizitës sot nga profesori francez Christophe Goddard, u njoftua rreth punës që ai dhe bashkëpunëtorët e tij po bëjnë në fushën e historisë dhe kërkimeve arkeologjike në Kosovë në kuadër të bashkëpunimit me Universitetin Publik të Prishtinës.
“Instituti Francez në Kosovë, në kuadër të Ambasadës franceze, është një urë e re midis Kosovës dhe Francës, midis gjuhëve tona dhe midis njerëzve tanë”, u shpreh ai.
Mundësinë e mësimit të gjuhës frënge në këtë Institut kryeministri e cilësoi si përparësi shumë të madhe si në raport me artin dhe kulturën, ashtu edhe perspektiva profesionale.
“Unë i inkurajoj zyrtarët publikë të shtetit tonë, por edhe studentët dhe profesorët, ndërmarrësit që ta konsiderojnë vizitën në Institutin Francez dhe mësimin e gjuhës frënge këtu, që është një dritare e jashtëzakonshme për kulmin e cilësisë së artit edhe kulturës”.
Instituti Francez në Kosovë, si element kyç i bashkëpunimit arsimor dhe kulturor ndërmjet Francës dhe Kosovës, funksionon në kuadër të Ambasadës Franceze, me seli në Prishtinë.
Prononcimi i plotë i kryeministrit Kurti:
Kur është hapur në Kosovë Instituti Francez, unë nuk kam qëlluar në vendin tonë, kam qenë në një udhëtim jashtë vendit. Jam shumë i gëzuar që sot e vizitova Institutin Francez në Kosovë dhe e falënderoj shumë ambasadorin francez Olivier Guerot për mikpritjen e tij dhe për këtë rrëfim të mundësive për vendin tonë dhe për qytetarët tanë, që të njihen më shumë me Francën dhe frëngjishten.
Unë, po ta dija, në adoleshencën time që do të përfundojë gjatë jetës duke lexuar aq shumë libra të autorëve francezë, me siguri se do ta kisha mësuar frëngjishten. Për fat të keq, unë i kam lexuar ata autorë të përkthyer në shqip ose në anglisht, por siç tha edhe ambasadori Guerot gjatë takimit të sotëm, kjo është një gjë që mund të korrigjohet dhe nuk mund të korrigjohet vetëm për mua, po për aq shumë qytetarë të vendit tonë. Andaj, mësimi i gjuhës frënge është një përparësi shumë e madhe, sepse të gjithë ata të cilët pëlqejnë letërsinë franceze, që dëgjojnë muzikë franceze, që shikojnë filma francez, është mirë të dinë edhe frëngjisht.
Unë i inkurajoj zyrtarët publikë të shtetit tonë, por edhe studentët dhe profesorët, ndërmarrësit që ta konsiderojnë vizitën në Institutin Francez dhe mësimin e gjuhës frënge këtu, që është një dritare e jashtëzakonshme për kulmin e cilësisë së artit edhe kulturës.
Instituti Francez në Kosovë, në kuadër të ambasadës franceze është një urë e re midis Kosovës dhe Francës, midis gjuhëve tona dhe midis njerëzve tanë.
Unë këtu do të rikthehem, sepse kush vjen një herë, e ka të pamundur të mos vijë sërish.