Kryediplomatja finlandeze do t’i vizitojë zyrtarisht Kosovën, Shqipërinë e Serbinë
Ministrja e Punëve të Jashtme e Finlandës, Elina Valtonen, do të vizitojë Kosovën, Shqipërinë dhe Serbinë në datat 4-5 shtator, ka njoftuar vetë ministria finlandeze.
Sipas komunikatës, qëllimi i vizitës është forcimi i marrëdhënieve politike dhe tregtare me partnerët e Finlandës në Ballkanin Perëndimor, raporton gazeta Express.
“Finlanda mbështet aspiratat e vendeve të rajonit për anëtarësim në BE”.
Ministrja e Jashtme Valtonen gjatë vizitës së saj do të takohet me homologët e saj, ministrat e jashtëm të Shqipërisë, Serbisë dhe Kosovës dhe lidershipin politik të vendeve.
Ministria finlandeze thotë se ata do të diskutojnë marrëdhëniet dypalëshe, zgjerimin e BE-së, stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor, situatën në Ukrainë dhe çështjet aktuale lidhur me Organizatën për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE).
Në Serbi, ministrja do të takohet me përfaqësues të kompanive finlandeze që operojnë në të gjithë Ballkanin Perëndimor, thuhet më tej në komunikatë.
“Finlanda mbështet fuqishëm rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BE. Mirëqenia dhe stabiliteti i rajonit është shumë i rëndësishëm për të gjithë Europën, përfshirë Finlandën. Ne duhet të forcojmë bashkëpunimin me partnerët tanë më të afërt, veçanërisht duke pasur parasysh mjedisin aktual të sigurisë evropiane. BE-ja është tashmë partneri më i afërt i vendeve të Ballkanit Perëndimor. Edhe Finlanda po thellon angazhimin e saj me rajonin”, thotë ministrja Valtonen.