Haxhiu: Kosova i vetmi shtet që ka të drejtë ta hetojë sulmin në Banjskë, Serbia t’i dorëzojë terroristët
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kanë refuzuar kërkesën e Serbisë që t’i dërgojnë provat që ka Kosova për rastin e sulmit në Banjskë, ku mbeti i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ajo ka thënë se kërkesë të njëjtë kanë parashtruar edhe autoritetet serbe, por që e kanë refuzuar, pasi “Serbia duhet ta ketë të qartë se i vetmi shtet që ka të drejtë të hetojë këtë rast është Kosova”.
“Dy herë radhazi institucionet e Kosovës përmes MD-së i janë drejtuar Serbisë për ofrimin e provave që ndërlidhen me kryeterrorristin Millan Radoiçiq, por edhe terroristët e tjerë që kanë marrë pjesë në këtë sulm terrorist. Serbia deri më tani nuk ka kthyer përgjigje. Së fundi MD-ja është referuar me kërkesë institucioneve, nëse e shohin kërkesën, nuk mund të ndajmë me opinionin publik, por kërkon prova për këtë rast. Duhet ta ketë të qartë Serbia që i vetmi shtet që ka të drejtë të hetojë këtë rast është Kosova, përkatësisht Prokuroria Speciale e Kosovës dhe në vend që të bëjnë kërkesa që provat të transferohen në Serbi, është e rëndësishme që Serbia t’i dorëzojë në institucionet e Kosovës”.
“Kërkesa e Serbisë është refuzuar dhe bie ndesh me Nenin 85 të Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar. Nuk ka presione për Serbinë që të dorëzojë kriminelët të cilët i përmenda dhe të bashkëpunojë me Kosovën, kjo për mua është shqetësuese, sepse Serbia është shndërruar një vend ku gjejnë strehë edhe kriminelët e luftës, por edhe ata që kryejnë krime në kohë të paqes. Është e rëndësishme që ky presion të bëhet të vazhdojë dhe të mos ndalet derisa Serbia të bëjë veprimin e duhur”, tha ajo. /eo