Deputetët maqedonas thërrasin kryeparlamentarin Gashi në interpelancë
Në agjendën e seancës parlamentare në Maqedoni të Veriut është interpelanca ndaj kryetarit të Parlamentit, Afrim Gashi. Kërkesa për interpelancë u bë nga Grupi Parlamentar “E Majta”, dhe, sipas njoftimeve, partia opozitare Lidhja Social Demokrate (LSDM) e mbështet atë.
Në seancën e 3 shtatorit interpelancën ndaj Gashit nuk do ta mbështesin VMRO-DPMNE-ja në pushtet dhe partnerët e tjerë të koalicionit qeverisës.
Kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi, tha gjatë një konference për media më 27 gusht se interpelanca ndaj tij nuk ka qëndrueshmëri politike. Ai tha se shpreson që të ketë paraqitje të argumenteve gjatë seancës dhe ai do të respektojë vendimin e deputetëve se si të veprohet për këtë çështje.
Në kërkesën për interpelancë thuhet se Gashi ka vepruar në mënyrë joprofesionale, jokushtetuese dhe ka dëmtuar sekularitetin e shtetit, sepse ai ka lejuar të kryhen rite fetare gjatë një mbledhjeje të një komisioni. Në kërkesë po ashtu përmendet edhe incidenti i 11 gushtit në Aeroportin e Shkupit, ku u përfshi presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Gashi po ashtu akuzohet për shkeljen e ligjit për gjuhët, pasi betimin për kryeparlamentar e ka bërë fillimisht në gjuhën shqipe dhe jo maqedonase.
Sa i përket incidentit në Aeroportin e Shkupit, Gashi ka thënë se ai ka ndërhyrë vetëm për të shmangur ndonjë incident diplomatik. /REL