MD-ja ndryshon Ligjin për Byronë pas gjetjeve të Kushtetueses, së shpejti në Qeveri e Kuvend
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se kanë adresuar gjetjet e Gjykatës Kushtetuese për Projektligjin e Byrosë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe se i njëjti së shpejti do të dërgohet për miratim në Qeveri e më pastaj në Kuvend.
Në një konferencë për media, Haxhiu ka thënë se përkushtimi i tyre mbetet reforma në drejtësi e luftimi ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ajo u ka bërë thirrje partive politike ta mbështesin këtë ligj.
“Qëllimi i konferencës është që t’ju informoj për zhvillimet e fundit lidhur me Projektligjin për Byronë për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë se pajustifikueshme. Pas publikimit të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese më 29 korrik 2024, MD-ja ka reaguar me urgjencë, duke nisur adresimin e gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese. Përkushtimi ynë është të garantojmë reformën në drejtësi, sundimin e ligjit dhe pashmangshëm në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Siç është theksuar, një nga triumfet më të mëdha është konfirmimi se konfiskimi civil në Kosovë është kushtetues, duke e cilësuar si një instrument legjitim dhe proporcional për luftimin e korrupsionit në Kosovë, me theks të veçantë në institucionet publike”.
“Kjo është një fitore e qartë për shtetin e së drejtës dhe një mesazh i fuqishëm për të gjithë ata që kanë abuzuar me detyrën zyrtare, kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe për të gjithë ata që duke qenë zyrtar kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme. Ne nuk kemi draftuar një ligj të ri, pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk kemi pasur nevojë që të draftojmë një version të ri të ligjit, por kemi adresuar katër çështje që janë konsideruar në kundërshtim me Kushtetutën”, tha Haxhiu.
Sipas saj, versioni me ndryshimet ka rikonstruktuar Komisionin mbikëqyrës.
“Ndryshimi i ri ka përfshirë konceptin e pamundësisë objektive, që e ka adresuar edhe aktgjykimi. Çështja e dytë është qartësia që ndërlidhet me periudhat kohore për verifikimin e pasurisë… Ndryshimet e saj në draftligj sigurojnë që periudhat e reja të verifikimit të pasurisë të lidhet vetëm me periudhën ku zyrtari publik ka qenë në funksion duke lejuar përjashtimisht zgjatjen e verifikimit për 5 vite pas përfundimit të ushtrimit të funksionit publik. Çështja e tretë ndërlidhet me komisionin mbikëqyrës dhe ndarjen e pushteteve. Versioni me ndryshimet ka rikonstrukturuar komisionin mbikëqyrës, duke përfshirë tre anëtarë të emëruar nga Kuvendi, pra drejtorin e Agjencisë për parandalimin e korrupsionit dhe drejtorin e Njësisë së Inteligjencës Financiare”, tha ajo. /EO