Tetaj: E kemi dëgjuar Hashim Thaçin duke thënë “shumë shpejt me ty do ta kryej”
Dëshmitari Rrustem Tetaj tha se kur u bë ndryshimi i pozitave në mes të Ramush Haradinajt dhe Tahir Zemajt, kishte ndodhur një tension në Zhabel të Dukagjinit.
Ai tha se e kanë dëgjuar Hashim Thaçin në një shator me Tahir Zemajn, duke thënë që “shumë shpejt do ta kryej me ty”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, dëshmitari tha se për këto ndryshime nuk ishin pajtuar askush aty duke, përfshirë edhe Tahir Zemajn.
“Aty nuk janë pajtu as Tahiri as nuk janë pajtu Hashim Thaçi.. krejt qëllimi që s’jem pajtu është se Tahiri e lypke dhe të gjithë ne e lypshim se kush është komandant nëse ne jemi komandantë të zonave, nënzonave të UÇK-së e dojshim me e ditë se kënd e kishim komandat të Shtabit të Përgjithshëm. Këta nuk na kanë tregu. Kur thanë ‘këta’ është Hashim Thaçi që ka ardhë dhe atëherë qaty kanë lindë problemet dhe u kanë një shator më tutje, janë hi atje tek telefoni satelitor kanë folë dhe kanë bërë kontakte përmes telefonit satelitor me nuk e di me Shtab të Përgjithshëm, me Ahmet Krasniqin e s’po di”, tha Tetaj.
“Nuk e di se çka kanë folë, por disa zëra janë dëgju dhe ka qenë një tension”, theksoi dëshmitari, duke thënë se kjo ka qenë një situatë e palakmueshme dhe ka pasur mundësi të ketë pasoja.
Ai tha se në atë takim dëgjohej një zë i pakëndshëm duke përshkruar zërin e Thaçit.
“Aty dëgjohej një zë i pakëndshëm, por ishim tanë dhe duhet ta konfirmoj se aty e kemi ni Hashim Thaçin t’u thanë se shumë shpejt me ty do ta kryej. E tash me kanë, qysh, nuk e di”, tha Tetaj.
Tetaj gjithashtu u pyet se çfarë do të thoshte me frazën se “ka dëgjuar zë të pakëndshëm”.
“E kam pas në mes të Tahirit dhe Hashim Thaçit në lidhje me postin e Komandantit të Shtabit Rajonal të Rrafshit të Dukagjinit. Zëri i tij ishte i nervozum”, tha Tetaj, kurse rreth asaj se a e kishte zërin e ngritur, u përgjigj “jo edhe qaq, por dëgjohej mirë ata dy në mes vete, Tahiri dhe Hashimi, por me nervozë kanë folë”, tha Tetaj.
Po ashtu, ai tha se të gjithë atë që kanë qenë aty e kanë dëgjuar këtë fjalë nga Thaçi vetëm në rast që nuk duan të flasin lidhur me këtë.
Përpara kësaj, Tetaj shpjegoi se si erdhi situata deri tek ky tension në Zhabel.
“… është emëru komandant Rajonal të Dukagjinit, me pëlqimin e 14 fshatrave përreth dhe detyrën e zëvendësit e ka pranu Ramush Haradinaj edhe jemi pajtu të gjithë dhe ma s’ka pas kurrfarë divergjence e kurrfarë shqetësimi mes nesh. Mirëpo, prezenca dhe ardhja e Hashim Thaçit një ditë përpara kur ka dëgju, unë në aty atë ditë nuk kam qenë dhe këta e kanë caktu një takim të rregullt në fshatin Zhabel pas datës të emërimit të Tahir Zemajt… edhe për këtë takim jam informu nga Tahir Zemajt”, tha Tetaj.
Dëshmitari tha se ka refuzuar që të shkojë vetë ai në Zhabel, por që sipas tij kishte insistuar Tahir Zemaj. Në atë takim, tha se ua kanë dhënë disa pliko në të cilat secili i ka parë detyrat e veta se në çfarë rangu ishin të caktuar e që kanë qenë të nënshkruara nga Komandanti i Shtabit të Përgjithshëm, por pa emër.
Tetaj tha se nga aty kanë lindur problemet kur kanë parë dokumentet pa emër komandanti dhe kanë refuzuar t’i nënshkruajnë.
Në këtë takim, Tetaj tha se Ramush Haradinaj e mori detyrën e komandantit të Zonës Operative të Dukagjinit, ndërsa Zemaj si zëvendës i tij.
Ndryshe, Tetaj tha se ka pasur presion të mos ekzistonte FARK-u. I pyetur se kush po e ushtronte këtë presion, dëshmitari tha se “me emër më së shumti është cekur Hashim Thaçi”.
Dëshmitari tha se Tahir Zemaj shpeshherë ka treguar se kanë pasur probleme lidhur me çështjen e FARK-ut dhe fotografinë e Ibrahim Rugovës.