Ademi partisë Vlen: Mos toleroni prekjen e gjuhës shqipe
Arbër Ademi nga BDI tha se koalicioni OBRM-PDUKM-VLEN-ZNAM duket se e kanë ndarë mendjen për zhbërjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ndërkohë që i bëri thirrje VLEN që siç thotë, të mos tolerojnë prekjen e gjuhës shqipe, që Ademi e quan gjënë më të shenjtë të shqiptarëve.
“Koalicioni OBRM-PDUKM-VLEN-ZNAM duket se e kanë ndarë mendjen për shfuqizimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, konkretisht për zhbërjen e gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në Maqedoninë e Veriut.
Për çdo ditë, media të afërta me OBRM-PDUKM-në thirren në njëfarë opinioni gjysmak të Komisionit të Venecias, ndërsa mundohen ta ngushëllojnë opinionin se gjoja, edhe nëse shfuqizohet përdorimi zyrtar i shqipes, do të përgatitet një Ligj edhe më i mirë për gjuhën shqipe.
Sinqerisht, në mënyrën më të ndershme të mundshme, i apeloj krerëve të VLEN-it të mos tolerojnë prekjen e gjuhës shqipe – gjënë më të shenjtë të shqiptarëve kudo që janë.
Takat për më shumë dihet që nuk keni, por së paku mos i rrënoni të arriturat që me gjak, mund e djersë i kemi fituar”, tha Arbër Ademi.