Mushkolaj: Ura e Ibrit s’do hapet, Kurti po e përdor për zgjedhje
Njohësi i çështjeve politike, Imer Mushkolaj, ka thënë se çështja e hapjes së urës së Ibrit, po përdoret për çështje elektorale nga kryeministri Albin Kurti.
Mushkolaj në “Debat Plus”, tha se ura nuk do të hapet, të paktën jo në këtë verë.
“Nuk hapet ura, nuk do të hapet. Por Kurti do ta përdor për zgjedhje. S’besoj që do hapet të paktën jo shpejt siç ka thënë LVV. Kurti ka thënë se ura do hapet gjatë verës, do presim ne jemi këtu nëse hapet 27 shtator. Brenda verës nuk do hapet”, tha ai.
Analisti thotë se Kurti është në qeverisje prej 4 vitesh dhe sipas tij është një pyetje pse kjo hapje nuk u bë para një apo dy vitesh e po bëhet tani.
“Ura është e mbyllur që nga paslufta. Pse ai po kërkon bash tash ta hapë urën e jo para një apo dy vitesh. Tregimi për urën vjen e ringjallet në prag të fushatës zgjedhore, kjo nuk është e rastësishme. Askush nuk është kundër hapjes së urës, as aleatët, por ata po kërkojnë që kjo të mos bëhet në këtë kohë për shkaqe sigurie”.
Mushkolaj thotë tutje se hapja e Urës së Ibrit është pjesë e dialogut.