Stano: Dështimi i Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet do të ketë pasoja
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka folur për mbylljen e pesë institucioneve serbe nga qeveria.
Stano thotë se kjo konsiderohet si veprim i njëanshëm e i pakoordinuar, ku sipas tij dështimi i Kosovës dhe Serbisë për të ulur tensionet do të ketë pasoja.
“Ka çështje më të vjetra në tryezë që duhen shqyrtuar. Ne e konsiderojmë këtë shumë të padobishëm dhe hap tjetër të njëanshëm e të pakoordinuar që ka kapacitet të rrisë tensionet dhe të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm. Dështimi i palëve për të ulur tensionet do të ketë pasoja”, tha Stano në konferencë për media.
Teksa shtoi se data për takimin e radhës në Bruksel mes palëve nuk paralajmërohet, por ai tha se takimi pritet shumë shpejt.
“Takimet i paralajmërojmë kur të jetë e përshtatshme. Takimet në nivel të kryenegociatorëve nuk i paralajmërojmë zakonisht për media. Por, pa dyshim qëllimi ynë është që sa më parë të kemi takim në nivel kryenegociatorësh sepse ka një varg çështjesh për të diskutuar”, ka thënë Stano.