KQZ-ja pranon mbi një mijë kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, 222 u refuzuan për moskompletim dokumentesh
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se deri më 1 shtator, përmes postës elektronik, ka pranuar 1.162 kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, prej të cilave 940 janë aprovuar dhe 222 të tjera janë refuzuar për shkak të moskompletimit të dokumenteve, pasi në shumicën e rasteve aplikuesit nuk janë fotografuar (selfie), duke e mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit, raporton Ekonomia Online.
Në mbledhjen e mbajtur të hënën, nga KQZ-ja thanë se është duke vazhduar periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, e cili ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.
Kryeshefi ekzekutiv i SKQZ-së, Burim Ahmetaj, ka thënë se periudha e aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës do të përfundojë më 26 dhjetor 2024.
“Deri më 1 shtator, përmes platformës elektronike http://diaspora.kqz-ks.org, KQZ-ja ka pranuar 1,162 kërkesa për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, prej të cilave 940 janë aprovuar dhe 222 të tjera janë refuzuar për shkak të moskompletimit të dokumenteve, pasi në shumicën e rasteve aplikuesit nuk janë fotografuar (selfie) duke e mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit”, tha ai.
Po ashtu, u bë e ditur se është duke vazhduar edhe periudha për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, e cila ka filluar më 29 gusht dhe do të përfundojë më 26 dhjetor 2024. Deri më 1 shtator, KQZ-ja ka pranuar 85 kërkesa për ndërrimin e Qendrës së Votimit brenda komunës, prej të cilave 69 janë aprovuar dhe 14 kërkesa të tjera janë refuzuar për shkak të moskompletimit të dokumenteve, pasi në shumicën e rasteve aplikuesit nuk janë fotografuar duke e mbajtur njëkohësisht në dorë dokumentin e identifikimit.
Anëtari i KQZ-së, Alban Krasniqi, kërkoi nga diaspora që t’u përmbahen kritereve të përcaktuara nga KQZ-ja.
“Në shumicën e rasteve në pjesën e platformës ku kërkohet bashkëngjitjes së fotografisë me dokument në dorë për votim jashtë vendit. E njëjta fotografi përçohet te pjesa e platformës kjo duhet të jetë mënyra besoj që shpejt do të ketë mënyra se si bëhet. Le të shpërndahet si informacion se kemi të bëjmë me një procedurë shumë të thjeshtë”, u shpreh ai. /EO