“Kërkojmë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar”, Lutfiu flet për protestat në Luginë
Nevzad Lutfiu, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, ka thënë se shqiptarët atje janë duke protestuar, pasi po kërkojnë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar e sipas tij po bëhet spastrim etnik ndaj tyre.
Ai ka theksuar se protestat nuk do t’i ndalin.
“Pas një sërë marrëveshjeve që udhëheqësit e institucioneve tona i kanë arritur me qeverinë e Serbisë, e që asnjëra nuk është respektuar, ne po përdorim mjetin e fundit, protestën. Ne kërkojmë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar sepse ajo që po ndodh me ne është spastrim etnik. Protestat do të vazhdojnë, kaq mund të them tani”, ka thënë Lutfiu në një intervistë për Klan Kosovën.
Lutfiu ka përmendur edhe mbështetjen që marrin nga dy qeveritë shqiptare.
Ndër të tjera, kasti i ri politik në krye të qeverisë së Serbisë, sipas tij, ka mendësi të njëjtë si politikanët e kaluar.
“Qeveritë po ndërrohen, mendësia është e njëjtë. Prandaj nuk ka shpresë se qeveria e re do të reflektojë”, pohoi Lutfiu.
Klankosova.tv: Së fundmi keni protestuar për një mori problemesh që i prekin shqiptarët në Serbi, gjegjësisht në Luginë të Preshevës. A mendoni se do t’i arrini qëllimet tuaja me anë të protestave dhe kur pritet të mbahet protesta tjetër që e keni paralajmëruar?
Lutfiu: Pas një sërë marrëveshjeve që udhëheqësit e institucioneve tona i kanë arritur me Qeverinë e Serbisë, e që asnjëra nuk është respektuar, ne po përdorim mjetin e fundit, protestën. Ne kërkojmë vëmendjen e faktorit ndërkombëtar sepse ajo që po ndodh me ne është spastrim etnik. Protestat do të vazhdojnë, kaq mund të them tani.
Cili është bashkëpunimi juaj me ndërkombëtarët? A mendoni se i dëgjojnë kërkesat tuaja dhe a mendoni se të njëjtat i përcjellin tek institucionet shtetërore të Serbisë?
Lutfiu: Ne në mënyrë të rregullt i kemi raportuar, kemi raporte të rregullta, por keni parasysh jetojmë në një shtet i cili i bëri ballë botës për mos t’i vendos sanksione Rusisë.
Nga cila prej dy qeverive shqiptare, Kosovës dhe Shqipërisë, keni mbështetje më të madhe?
Lutfiu: E ndiejmë mbështetjen nga dy qeveritë, shpresojmë se mbështetja do të jetë më e thellë (të përpilohet strategji kombëtare) për Luginën.
Me cilat probleme përballen më së shumti shqiptarët e Luginës?
Lutfiu: Pasivizimi i adresave, mos njohja e diplomave të të rinjve të Luginës që kanë studiuar në Kosovë, mos integrimi në institucione shtetërore.
Serbia tashmë e ka një qeveri të re. Çka prisni nga kjo kastë politike në Serbi?
Lutfiu: Qeveritë po ndërrohen, mendësia është e njëjtë. Prandaj nuk ka shpresë se qeveria e re do të reflektojë.
Përpos protestave, çfarë veprimesh planifikoni të ndërmerrni për të përmirësuar situatën e shqiptarëve në Luginë?
Lutfiu: Ne jemi në koordinim të vazhdueshëm me Kosovën dhe Shqipërinë, mbështetja e dy shteteve tona është thelbësore për ruajtjen e substancës kombëtare.