Prokuroria Themelore e Pejës funksionon vetëm me 11 prokurorë, Haxhiu: Pavarësisht nga kjo, rezultatet s’mungojnë
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka zhvilluar sot një vizitë në Prokurorinë Themelore në Pejë, ku u prit nga kryeprokurori Agim Kurmehaj dhe zëvendëskryeprokurori Ersan Çavolli.
Gjatë takimit, ministrja diskutoi prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë, duke përfshirë reformat në drejtësi dhe adresimin e dhunës në familje, fenomen ky që vetëm në komunën e Pejës ka regjistruar 258 raste që nga janari i këtij viti.
“I njoftova për prioritetet tona që ndërlidhen me reformën, punën që po bëjmë me fokus në adresimin e dhunës në familje ku vetëm nga janari e deri më sot në komunën e Pejës janë raportuar 258 raste të dhunës në familje si dhe i njoftova për politikat në fuqizimin e ligjeve dhe mekanizmave që merren me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionin”, shkroi ministrja në profilin e saj në Facebook.
Ajo gjithashtu u njoftua për sfidat me të cilat përballet Prokuroria Themelore në Pejë, duke përfshirë mungesën e prokurorëve, ku aktualisht janë vetëm 11 nga 19 prokurorët e nevojshëm.
“U njoftova për angazhimin e tyre sidomos për këto raste dhe po ashtu për numrin e vogël të prokurorëve 11 nga 19 prokurorë sa ishin, por që pavarësisht kësaj rezultatet nuk kanë munguar”, u shpreh Haxhiu.
Pas takimit, Haxhiu vizitoi hapësirat e prokurorisë, ku takoi prokurorë, bashkëpunëtorë profesionalë dhe stafin administrativ. Në përfundim të vizitës, ajo shprehu falënderimet për punën dhe angazhimin e tyre, duke ofruar mbështetjen e saj për tejkalimin e sfidave që përballen.