Imeri: Vrasjet e pasluftës më shtynë të jem i hapur me drejtësinë, Thaçi kërkoi në media të zbulohen këto raste
Dëshmitari Imer Imeri tha në Hagë se heshtja për vrasjet e pasluftës e ka shtyrë të jetë i hapur me drejtësinë dhe t’i shikojë në sy katër të akuzuarit, pasi sipas tij ata kanë qenë në institucione. Por ai shtoi se Hashim Thaçi ishte i vetmi që kërkoi në media të zbulohen këto raste.
Ai tha se kulmi i të këqijave që i kishin ndodhur ishte vrasja e vëllait të tij.
“Është vështirë me i harru sikur mos të m’u kish vra vëllai, ndoshta isha përpjekë me i harru, por kulmi i të gjithave të këqijave që ma vranë vëllain. Një djalë i një familje kombëtare, një djalë i shkollum, kur u ba me i vy shtetit e vetit me u çu me e vra, me ia marrë jetën edhe me thanë s’di kush e vrau. Këta katërtit janë të institucioneve të Kosovës ku kanë shërby. Me u vra gjithë ata njerëz dhe mos me ditë kush i vra. Heshtje, gjithmonë heshtje. Ajo më ka shty të jem i hapur përpara drejtësisë këtu e t’i shiqoj në sy. Jam shumë i kënaqur me juve të nderuar. Zoti qoftë i kënaqur me juve si unë”, tha Imeri.
Ai pohoi se është takuar edhe me Thaçin, të cilin e kishte pyetur se pse është burgosur dhe keqtrajtuar.
“Më ka thanë se nuk e ka ditë”, tha dëshmitari, duke shtuar se i ka thënë që i vjen keq dhe se takimi ishte në fund të vitit 2016 e në fillim të vitit 2017.
“I vetmi Hashim Thaçi ka kërku në media që të zbulohen këto raste, vrasjet e LDK-së dhe e ka thirrë prokurorin e përgjithshëm në atë kohë dhe ai u deklaru”, tha Imeri.
I njëjti shtoi se për rastin e tij askush nga UÇK-ja nuk e ka kontaktuar për ta hetuar si rast pas luftës.
Me kaq përfunduan pyetjet e avokates se viktimave, Maria Radziejowska, për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq.
Imeri: Unë isha shoku i Adem Jasharit dhe jo këta këtu e ata tjerët atje
Dëshmitari Imer Imeri tha se ai ishte shok i Adem Jasharit dhe jo këtu të akuzuarit nga Specialja.
“Unë isha shoku i Adem Jasharit dhe jo këta këtu dhe ata tjerët atje”, tha Imeri të hënën gjatë dëshmisë në Hagë.
Ai tha se të akuzuarit e dinë se çfarë familje ishte familja e tij, por mjerisht për ata e keqja ishte Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe ish-presidenti Ibrahim Rugova. Sipas tij, synohej t’i likuidojnë të gjithë që ishin në LDK.
“Ajo që më ka shty të jem i hapur është kjo që të shohin të gjithë vuajtjen time pasi është diçka gati si e pamundshme qysh me ndodhë kjo në një familje në Drenicë. Jemi një vend ma patriotik në Kosovë dhe shqiptari dhe jemi familja ma punëtore dhe ma patriotike dhe mund të kenë tregu edhe këta zotëritë që janë këtu e dinë të gjithë, por pse më ndodhi mua. Mjerisht për këta e keqja- LDK-ja, Presidenti Rugova dhe këqyrshin me na likuidu të gjithëve. Më vjen keq shumë”, tha Imeri.
Imeri tha se është njollosur emri i tij dhe i familjes së tij, pasi ai ka qenë shok i Jusuf Gërvallës e Adem Jasharit ngase edhe ai ka luftuar për Kosovën.
Dëshmitari Imeri: Sabit Geci me tha që krejt LDK-në kanë me e vra
Dëshmitari Imer Imeri, duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtjes së viktimave përmes avokates, Maria Radziejowska tha se Sabit Geci i kishte thënë që krejt anëtarët e LDK-së kanë me i vra, gjë të cilën sipas tij e vërtetoi edhe me vrasjet e pasluftës.
Ai këtë gjë e tha, teksa foli për pasojat që kishte pasur sa i takon trajtimit gjatë ndalimit të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Ndoshta jo për natë, por e dyta natë mu ka hap dera bonu gatshëm se tash po vritesh. Tash paramendoje ndjenjat e njeriut. Dikur u mësova edhe me atë. Nuk kisha ku të shkoj. Isha aty. Sabit Geci me tha krejt LDK-në kemi me ju vra edhe e vërtetoi atë prej atëherë edhe mbas luftës shumë vonë. Edhe unë e pritsha ashtu qysh tha ai”, tha Imeri.
Ai tha se plagët që i kishte marrë nuk janë aspak të shëruara, por që tashmë i ka ardh mundësia që të vijë para drejtësisë.
“Aspak nuk janë të sherume si duhet, por Zoti i madh ma ka fal jetën dhe ma ka mundësu që të vij para drejtësisë këtu. Ankesa kam gjithë jetën”, tha Imeri.
Ai tha se rrezikon që ta humb funksionimin e dorës si pasojë rrahjeve.
“I kam të dukshme edhe në kry. Kam dhimbje në dorë. Krahun nuk muj ta lëvizë. Tre kilogramë nuk muj i qoj me këtë dorë dhe mjeku e ka konstatu që ndoshta një ditë do të përfundon që mos me lëvizë ma. Kam dhimbje në shpinë prej rrahjeve të mëdhaja ku tri herë jam rrahur që jam kanë i alivanosur, që jam kanë pa vetëdije që nuk ma ka marrë mendja që po poshtojë gjallë”, tha Imeri.
Imeri tregoi se dita për drejtësi i ka ardhur sot sepse sipas tij ka pasur vështirësi të shumta.
“Ndërkohë ka shkojsha në banjo ua sqarova sa larg ishte dhe deri vijsha- shkelma edhe nga një stupc edhe gjithnjë me durë lidh kam hangur buk, me durë lidh kam shku në banjo, me durë lidh kam flejtë. Paramendone se çfarë vështirësish janë kanë këto të gjitha, por gjithmonë ymydin të Zoti që Zoti ni ditë do te me qet para drejtësisë dhe ajo ditë erdh sot”, tha Imeri.
Ai u pyet se a ka dhimbje edhe sot e kësaj dite dhimbje koke si pasojë e asaj që kishte përjetuar.
“Nganjëherë e hupi vetëdijen. Nganjëherë harroj shumë edhe me gjumë nuk jam kurrqysh. Gjumë kam pak, me del gjumi natën. Kujtesa. Por, këto shqetësime nuk janë badihava dihet ajo krejt çka me ka ndodhë mua”, tha Imeri, duke shtuar se merr edhe 12 tableta në ditë për kurime.
Imeri tha se kjo ngjarje ka pasoja psikologjike pasi sipas tij “me iu sjellë vdekja çdo ditë është shumë e rëndë”.
Dëshmitari Imeri thotë se Sabit Geci, Rizah Alija dhe djemtë që i rrahën ishin të dirigjuar nga dikush
Dëshmitari Imer Imeri tha në Hagë se Rizah Alija, akuzat e Sabit Gecit ndaj tij dhe djemtë që i kishin rrahur gjatë ndalimit ishin të dirigjuar nga dikush.
“Ishin djem të derigjum prej dikujt. Nuk ishte që ata si ushtri vepronin, por si të derigjum prej dikujt”, tha Imeri duke treguar se në garazh ishin rrahur disa të moshuar”, tha Imeri.
Ai tha se i kanë keqtrajtuar ata vetëm pse kanë qenë adhurues të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
“Unë e besoj që edhe Sabt Geci u kanë i derigju prej dikujt që të me thotë mue je adhurues i LDK-së dhe do u vrasim të gjithëve. Edhe Rizah Alija në qat mënyrë ka vepru. Na kanë keqtrajtu si njerëz të LDK-së siç dihet kjo edhe vrasje të shumta më vonë”, tha Imeri.
Ai gjithashtu u pyet se çfarë ndikimesh kishte pasur në jetën e tij ndalimi nga anëtarët e UÇK-së.
“Ndikime vdekjeprurëse. Me rrahjen qe e përjetova, me thyerjen e nofullës, me varrë në krye, me gjak një muj ditë pa mu hjek gjaku prej kreje, prej trupi dhe maltretime të një pas njëshme. Këto ishin vetëm për akuzën që ma tha Sabit Geci dhe kjo u vërtetua edhe deri me sot”, tha Imeri.
Vega Iodice pyeti dëshmitarin sa i takon faktit që ka fol hapur lidhur me ato që i kanë ndodhur dhe çfarë pasojash ka pasur.
“Mu me burgosen me rrafen si një njeri i familjes se mirë kombëtare. Ma vranë vëllain edhe ma hoqën frikën se përte se vdekja s’kishte çka me bën dhe kështu kam dal hapur me tregu dhe jam shumë i mirëpritur në popullin tim e shpija ime se kurrë nuk kam rrejt, s’do të rrej as sot dhe kurrë asnjëherë”, tha dëshmitari Imeri.
Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë për këtë dëshmitar për të vazhduar më pas me mbrojtjen e viktimave.
Imeri thotë se Xhemshit Krasniqi e dërgoi në garazh, por s’e kishte bërë me vullnetin e tij
Dëshmitari Imer Imeri ka folur për kohën kur ishte transferuar nga Cahani në Prizren për çka tha që pas fjetores atje, Xhemshit Krasniqi së bashku me dy ushtarë të tjerë e kishin marrë me veturë dhe e kishin dërguar në një garazhë rrugës për Brezovicë.
Ai tha se Xhemshit Krasniqi këtë nuk e kishte bërë me vullnetin e tij.
“Ju i keni tash të gjitha zonja prokurore. Atëherë jemi hyp në kerr, Xhemshiti i ka grah kerrit ndërsa dy të tjerët me revole në dorë dhe na thanë mos luni. Na quan në drejtim të rrugës së Brezovicës. Kur shkuam në mes të qytetit na kanë kthy në të djathtë buzë ni mali ku filluan të na maltretojnë që në atë mal do të bahet dasëm, apo do iu qojmë në furrë të qyreqit në Kleçkë. Nuk kam fol kurrgjë. Na kanë qu buzë të malit në një shtëpi e rrethune me një mur të lartë dhe na kan zbrit aty”, tha dëshmitari.
Ai tha se gjatë rrugës, Xhemshit Krasniqi nuk kishte folur asnjëherë.
“Xhemshit Krasniqi s’ka fol kurrë. Kur u zbrit prej kerri i ka pshtetë durtë në atë mur dhe ka marrë frymë thellë i mërzitur. S’ish sigurisht me vullnetin e tij edhe këta dy të tjerët na kanë marrë me revole në dorë e na kanë shti në garazhë’, tha ai.
Dëshmitari tha se në Prizren ishin të burgosur për dy-tri ditë deri sa ishin ardhur Ushtria Gjermane për t’u transferuar më pas nga Xhemshit Krasniqi në garazh.
“Në atë vend ku ishim të burgosur për një dy ditë a tri erdhën ushtria gjermane filluan me ua desh teshat e UÇK-së dhe me ua marrë armatimin. Erdhi dikush prej tyre poshtë dhe na tha dilni se u liratë. Mendova sigurisht po se kurrë nuk e disha arsyen si mund të isha unë i burgosur. Kemi dal, thanë hani çka doni në kuzhinë. Të drejtën me të thënë nuk m’u hanke kurrgjë dhe na thanë dilni ndër hije, kemi dal ndër hije”, tha ai.
Kur u pyet se si u trajtuan në garazh, seanca kaloi në përmbajtje të redaktuar.
Dëshmitari Imeri: Rizah Alija ishte kryesori i dajakut
Dëshmitari Imer Imeri ka rrëfyer për një rast kur një i ndaluar dhe i plagosur ishte sjellë në fshatin Cahan të Shqipërisë. Ai po ashtu tha se personi kryesori që kishte kryer rrahjet ishte Rizah Alija i njohur ndryshe si ‘Komandant Hoxha’.
“Ai komandant Hoxha- Rizah Alija, ai ishte kryesori i dajakut”, tha Imeri, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht, dëshmitarit iu prezantua një listë e ushtarëve për të cilën u pyet se ndonjërin prej tyre a e kishte parë në Cahan gjatë kohës sa ishte i ndaluar.
Emrat që iu prezantuan dëshmitarit ishin: Rizah Alija, Salih Rexhepi, Shaban Hoti. Sipas prokurores, dëshmitari më herët ka thënë se ka pasur raste që numri i të ndaluarve arrinte në 17 duke përfshirë edhe anëtarë të FARK-ut e po ashtu dhe nga Presheva.
Lidhur me këtë, dëshmitari tha përveç tyre ishte edhe ai së bashku më anëtarët e tjerë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).
Më pas, prokurorja insistoi se përveç anëtarëve të FARK-ut nga Presheva a kishte edhe tjerë anëtarë të këtyre forcave për çka menjëherë seanca kaloi në përmbajtje të redaktuar.
“…e rrahën fortë dhe e lanë të kamtë. Nuk mujta me duru aty edhe u qova e afrova afër veti aty ku isha ratë. Ai djali u mërzitke shumë ‘jam i plagunë’. Nestrit e refuzoi edhe bukën, thash jo bacë bukë duhet me hanger se na kysmet dalim prej këtuhit. Kështu që kam kërku një takim me Haki Drenicën po tash nuk e di a u kan Hakia a u kan Salih Berisha. Iu thash qone more djalin te mjeku se me vjen keq shumë c’ka kështu. E kanë marrë e kanë qu, ja kanë lidh varrën edhe dikush iu ka thanë qe merrni me të mirë e djali mos të kallzon çka ka ndodhë. Ia kanë dhanë njëfarë detyre pak si të nalt aty me nejt i lirë nëpër atë vend aty edhe u sillke asajde. Nganjëherë folke me mu tek dritarja apo kur dalsha me shku në banjo dhe me falënderonte që i kam ndihmu. Kjo ka ndodhë. Ku e kanë qu masanej nuk e di”, tha Imeri pasi u hap seanca.
Më pas, Imeri tha se ata që e kishin plagosur këtë djalë ishin nga UÇK-ja.
“Me vjen shumë keq me e thanë tash po në atë kohë sipas fjalëve të djalit, ishin të UÇK-së që e kishin marrë nën kontroll edh FARK-un atje dhe ata e kanë nxanë dhe e kanë plagu edhe e kanë pru aty”, tha dëshmitari Imeri.
Për pyetjet e radhës, me kërkesën e prokurores seanca kaloi në sesion privat për publikun për t’u mos u hapur më deri në pushimin e 10 minutave. Edhe pas pushimit, pyetjet prokurorja i bëri në seancë private.
Dëshmitari Imeri thotë se ka dëgjuar një vajzë duke thënë: A jemi ardh me i mjeku vëllezërit a me na dhunu llugave?
Dëshmitari Imer Imeri tha në Hagë se kur ishte i ndaluar në godinë ishin edhe disa vajza që kishin ardhur nga Zvicra për t’i mjekuar të plagosurit e luftës e që njëherë njërën prej tyre e kishte dëgjuar, teksa fliste e hidhëruar.
Ai tha se kjo vajzë kishte thënë se a kanë ardhur që të mjekojnë vëllezërit apo të dhunohen sipas tij në lluga, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“E kam degju një shumë të idhnume, e mërzitur. U kthy prej fronti t’u i sha ‘A jemi ardh me i mjeku vëllezërit a me na dhunu llugave’, tha Imeri.
Përpara kësaj, dëshmitarit iu tregua një fotografi për të cilën tha se është e njëjta godinë ku ishte mbajtur i ndaluar.
“Kjo është e njëjta godinë”, tha dëshmitari duke shënuar me ‘1’ hyrjen kryesore dhe me ‘2’ dritaren ku ishte i ndaluar.
Ai tregoi se në të djathtë të godinës ishte një derë dhe qëndronin këto vajzat e ardhura nga Zvicra.
“Aty qëndronin do vajza që kishin ardh prej Zvicre për të mjeku të plaguarit”, tha Imeri.
Ai tha se i kishte parë prej dhomës së tij duke hyrë dhe dal.
“Ato hishin e dalshin qaty, manej s’mujshin të shkojshin”, tha ai.
Me kërkesën e prokurores, u pranua në prova gjyqësore fotografia me shënjimet që bëri dëshmitari.
Më pas dëshmitarit iu prezantua një fotografi ku shihej një dhomë për të cilën ai tha që atë natë që e kanë quar atje e kanë futur në të njëjtën dhomë.
“Në këtë dhomë me ka përmend adhuruesi i Presidentit Rugova dhe hiqni dorë apo do të vritni të gjithë dhe ka fillu dajaku”, tha Imeri.
Atij iu kërkua që të tregoj se kush e ka rrahur, por që mikrofoni u hap përpara se ai ta përmend emrin.
“… m’i ka dhanë dy shuplakë, m’ka ra nihere me patericë dhe tani me ni dru të shkurtër, komandant Hoxha - Rizah Alia me emrin e vetë ai ka fillu të me bie në krye, gjithkund nëpër trup kështu që unë jam mbulu me gjak”, tha ai.
Ndërsa në fotografinë tjetër, dëshmitari tha se krye atyre shkallëve ishte dhoma ku ai ishte mbajtur.
Kurse dëshmitarit iu kërkua që të tregoj nëse e dinte se ku ndodhej një dhomë në fotografi.
“Atë me atë kauqin e gjatë ama është tjetër kun se Sabit iu tha atëherë ndizni koftorin se ftohtë”, tha dëshmitari.
Si rrjedhojë, u pranuan në prova gjyqësore fotografitë e prezantuara dëshmitarit.
Dëshmitari Imeri: Nuk jam kundër UÇK-së, por mjerisht veprat e disa individëve me kanë sjellë këtu
Dëshmitari Imer Imeri gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se po i drejtohet popullit të tij për t’i treguar se nuk është kundër Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës (UÇK) por veprat e disa individëve e kanë sjellë sot në gjykatë.
“Unë dua t’i drejtohem popullit tim se nuk jam këtu kundër UÇK-së se në UÇK isha vetë i shtati. UÇK-ja është e artë për popullin e Kosovës dhe populli i Kosovës ishte i tëri UÇK, por mjerisht individët e caktuar, veprat e tyre me kanë sjellë sot këtu”, tha Imeri.
Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantuan disa fotografi ku në njërën prej tyre tha se ishte vendi ku ishte mbajtur i burgosur, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Në këtë vend isha i burgosur prej 12 prillit 1999 deri me 20-22 qershor 1999. Ky vend quhet Cahan i Kurmes. Këtu përpara si duket është një derë e vogël, e dyta është dera e hyrjes. Mbi derë të hyrjes ishte dritarja ku kam ndejt unë prej 12 prill deri me 20-22 qershor, tha dëshmitari i cili shënjoi me ‘1’ godinën ku pretendohet se është mbajtur i ndaluar.
Më pas, dëshmitari sërish vazhdoi me shënjime të këtyre godinave në fotografinë sipas pyetjeve të prokurores.