Kurti: MASHTI është angazhuar që ky vit shkollor të shkojë mbarë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Ministria e Arsimit është e angazhuar që ky vit shkollor të shkojë mbarë, derisa u ka uruar nxënësve sukses.
Kurti, në një postim në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, ka shkruar në ditën e parë të shkollës se shtatori është muaj i fillimeve të reja dhe rrugëtimit të përbashkët “të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe institucioneve”.
Kurti ka thënë se Qeveria i ka rritur nga muaji gusht shtesat për fëmijët deri në 16 vjeç.
“Shtatori është muaji i fillimeve të reja dhe i rrugëtimit të përbashkët të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe institucioneve të shtetit drejt të ardhmes që na pret, për të cilën punojmë sot e çdo ditë. Edhe këtë vit po bëjmë subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për nxënësit nga klasa e parë (I) deri në klasën e nëntë (IX), ndërkohë që nga muaji gusht i kemi rritur shtesat për fëmijët deri në moshën 16 vjeç, përmes së cilave po ofrojmë mbështetje të vazhdueshme të shtetit ndaj fëmijëve dhe familjeve. Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është angazhuar dhe kujdesur që ky vit i ri shkollor të fillojë mbarë, e unë uroj që ai të jetë i suksesshëm për të gjithë”, tha ai.