Fillon periudha për certifikimin e subjekteve politike dhe dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka filluar periudha për aplikim të subjekteve politike për certifikim dhe dorëzim të listës së kandidatëve për deputetë për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.
“Gjatë periudhës 102 ditore (1 shtator – 11 dhjetor 2024) kërkesat për certifikim nga subjektet politike duhet të dorëzohen në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përkatësisht në Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontroll Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP), gjatë orarit të punës nga ora 08:00 deri në orën 16:00”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu, gjatë kësaj kohe subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë listën e kandidatëve për deputetë.
Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për certifikim të subjekteve politike janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së www.kqz-ks.org (Shërbimet e KQZ-së > Shërbimet për subjekte politike > Certifikimi i subjekteve politike) apo në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbime-per-subjektet-politike/certifikimi-i-subjekteve-politike/.