SHBA-të çmojnë Osmanin për bashkëpunim, nga politologët vlerësohet si mesazh për Qeverinë
Gjersa Qeveria e Kosovës është kritikuar në vazhdimësi për veprime të njëanshme e sidomos pas mbylljes së pesë komunave ilegale në veri të vendit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është lavdëruar nga aleatët e saj për koordinim me ta. Nga njohës të fushës politike, kjo po vlerësohet se ishte veprim për t’i dërguar mesazh Kurtit i cili vazhdimisht, është kritikuar për veprime të njëanshme.
Për Qeverinë e Kosovës, kanë drejtuar shumë kritika sidomos në muajt e fundit por Shtetet e Bashkuara të Amerikës po e çmojnë bashkëpunimin e Presidentes Vjosa Osmani në lidhje me zhvillimet në veri.
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë njoftoi për takimin që në Pragë Osmani kishte me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Alexander Kasanof.
“Në Forumin GlobSec të Pragës sot Alexander Kasanof dhe presidentja Vjosa Osmani diskutuan për një sërë çështjesh kyçe, duke përfshirë veprimet e pakoordinuara të së premtes nga Qeveria e Kosovës dhe rëndësinë e konsultimit me bashkësinë ndërkombëtare. Ne vlerësojmë përkushtimin e Presidentes Osmani për një koordinim të tillë, i cili është thelbësor për avancimin e trajektores evropiane dhe euroatlantike të Kosovës dhe arritjen e stabilitetit rajonal, normalizimit dhe integrimit ekonomik. SHBA mbetet e përkushtuar për një Kosovë sovrane, multietnike, demokratike.”
Një ditë më parë Osmani tha se Qeveria është në të drejtën e saj për shuarjen e strukturave paralele serbe, meqenëse për këtë ka marrëveshje në Bruksel, por theksoi rëndësinë që kjo bëhet duke koordinuar veprimet me aleatët.
“Afatgjatësia e tyre, suksesi i tyre, qëndrueshmëria e tyre, varet edhe nga ajo sa punojmë me aleatë,” tha Osmani.
E sipas politologut, Milazim Koci, dallimi në mes Presidencës dhe Ekzekutivit në aspektin e koordinimit, është vënë re tash e disa kohë.
“Dallimi në mes Kryeministrisë dhe Presidencës për çështjen e shtrirjes së sovranitetit në veri janë evidente edhe më herët. Përderisa ka unamitet rreth shtrirjes së sovranitetit, ka dallim tek koordinimi. Unë besoj se ky apel i presidencës do respektohet në të ardhmen nga Kryeministria e cila ka të drejtë, ka të drejtën për ta shtrirë sovranitetin, por që duhet paraqitur edhe kosordinimi me SHBA-në dhe NATO-n. Çdo tentim i shtrirjes së sovranitetin në veri, pavarësisht që është legjitim dhe i drejtë, i bërë pa koordinim me ata që kanë në dorë sigurinë në Kosovë, bart rreziqe për Kosovën. Uroj që kjo praktikë të marrë kahje tjetër, të vazhdohet me shtrirjen e sovranitetit, por me koordonim për të,” tha Koci.
Për të tjerë, terminologjia e përdorur nga SHBA-të për Osmanin po përcjell një mesazh të qartë.
“Kryeministri dhe Qeveria janë eliminuar nga këto takime me aleatë. I njëjti duhet të jetë më bashkëpunues, sidomos me aleatët tanë strategjik, duhet t’i dëgjojnë ata për veprimet institucionale që marrin për shtrirjen sovranitetit në pjesën veriore të vendit. Ata po vazhdojnë takimet me aleaten, Osmani e kjo po përdoret për t’i dërguar mesazh Kurtit, për mosndërmarrje të veprimeve të njëanshme, siç i kanë quajtur edhe vet,” tha analisti, Fidan Ukaj.
Televizioni ka pyetur presidencën dhe ekzekutivin nëse të njëjtit, kanë qenë në koordinim për mbylljen e komunave paralele, por as Zyra e Presidentes e as ajo e Kryeministrit nuk kanë kthyer përgjigje./Dukagjini/