Rritja e numrit të karabinierëve në urën e Ibrit, KFOR: Janë trajnime periodike për të testuar procedurat e vjetra
KFOR, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, ka dhënë sqarime për shtimin e numrit të karabinierëve italianë në urën e Ibrit, gjatë ditës së djeshme dhe sot.
KFOR-i thotë se asetet shtesë që i përkasin Njësisë së Specializuar Shumëkombëshe të KFOR-it (NJMS) janë vendosur përkohësisht në urën kryesore mbi lumin Ibër, në Mitrovicë.
KFOR-i, më tej thekson se dislokimet shtesë në urën e Ibrit janë pjesë e trajnimit periodik që “KFOR-i kryen për të testuar procedurat e tij të vjetra dhe për të mbrojtur standardet më të larta operacionale”.
“KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër/Ibër, në Mitrovicë dhe vazhdon të kryejë patrullime të rregullta në zonat përreth. KFOR-i po monitoron situatën e sigurisë në veri të Kosovës dhe mbetet vigjilent. Është i vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të vazhduar përmbushjen e mandatit të saj të OKB-së dhe për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi të mëtejshëm përkatës”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it për Klankosova.tv.
Më tej, theksohet se misioni i KFOR-it i udhëhequr nga NATO-ja ripohon përkushtimin e tij të palëkundur për të kontribuar për një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, nën mandatin e tij të OKB-së.
Orë më parë sot më 1 shtator karabinierët italianë e kanë përfunduar stërvitjen që e nisën në orët e para të mëngjesit në urën mbi lumin Ibër.
Edhe dje, e shtunë, në urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë, përveç automjeteve të blinduara të karabinierëve nga njësia italiane e KFOR-it, aty tani të pranishëm ishin edhe pjesëtarë të kontingjentit çek, të cilët kanë krijuar një kordon në mes të urës.
Rritja e pranisë mbi këtë urë vjen pasi autoritetet e Kosovës mbyllën pesë komuna paralele serbe në veri të Kosovës, të premten (30 gusht).
Aksioni është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare, e cila i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të mos ndërmarrë veprime të njëanshme dhe të pakoordinuara.
Ekzekutivi kosovar po ashtu është përballur me kritika kohëve të fundit nga bashkësia ndërkombëtare sepse ka shprehur synimin që ta hapë për qarkullim të automjeteve urën mbi Ibër.
Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe KFOR-i janë shprehur kundër hapjes së urës tani. KFOR-i dhe BE-ja kanë kërkuar që kjo çështje të trajtohet në dialogun e Brukselit.