Fatmir Krasniqi emërohet gjyqtar mbikëqyrës i Degës së Gjykatës në Dragash

Fatmir Krasniqi emërohet gjyqtar mbikëqyrës i Degës së Gjykatës në Dragash

Aktuale August 29, 2024 - 14:28

Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka njoftuar se gjyqtari Fatmir Krasniqi është emëruar gjyqtar mbikëqyrës i Degës së Gjykatës në Dragash.

Sipas njoftimit të KGJK-së, në takimin e 331-të është bërë përzgjedhja dhe emërimi i gjyqtarit mbikëqyrës të Gjykatës Themelore në Prizren, Dega në Dragash.

“Sipas rekomandimit të Komisionit vlerësues për intervistimin, vlerësimin dhe rekomandimin e kandidatëve dhe pas zhvillimit të procesit të votimit, me shumicë votash, zgjodhën gjyqtarin Fatmir Krasniqi gjyqtar mbikëqyrës në Gjykatën Themelore në Prizren, Dega në Dragash, mandati i së cilit fillon nga data 1 shtator 2024”, thuhet në njoftim.

Gjykata Themelore në Prizren si gjykatë e shkallës së parë funksionon me dy degë, një në Suharekë dhe një në Dragash.