Prej sot gjoba për vozitësit që s’i ndërruan patentat ilegale të shoferëve
Foto: Laura Hasani

Prej sot gjoba për vozitësit që s’i ndërruan patentat ilegale të shoferëve

Aktuale August 26, 2024 - 09:50

Të premten ka përfunduar procesi i zëvendësimit të patentave të shoferëve të Serbisë me shenjat e qyteteve të Kosovës në patenta të lëshuara nga Ministria e Brendshme e Kosovës.

Nga dita e sotme drejtuesit e automjeteve që nuk kanë ndërruar dokumentet gjobiten nëse kapen nga policia rrugore duke drejtuar automjetet e tyre.

Pesë muaj pas përfundimit të riregjistrimit të automjeteve nga targat e Serbisë në ato të Kosovës, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës filloi procesin e ndërrimit të patentave të shoferëve.

Shoferëve u është dhënë një afat prej tre muajsh e gjysmë që t’i ndërrojnë patentat e shoferit të lëshuara nga MPB-ja e Serbisë me shenjat e qyteteve të Kosovës në patenta të lëshuara nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës.

Fillimisht u dha afati nga 9 maji deri më 9 gusht, e më pas MPB-ja e Kosovës e zgjati procesin e zëvendësimit deri më 23 gusht.

Ky afat ka skaduar të premten, kështu që nga sot vozitësit, para së gjithash në veri të Kosovës, ku ka pasur më së shumti dokumente të tilla, nuk do të mundë të drejtojnë më veturat e tyre nëse kanë dokumente serbe.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës gjatë fundjavës ka paralajmëruar se vozitësit që nuk kanë bërë zëvendësim nuk do të mundë t’i ngasin veturat e tyre dhe nga sot do të fillojnë me ndëshkimin e tyre, pasi dokumentet e tilla konsiderohen të paligjshme në Kosovë.

Nuk dihet se sa do të jetë shuma e gjobës dhe, siç tha MPB-ja e Kosovës, këto gjoba do të caktohen nga gjykata.

Procesi i shkëmbimit të patentë shoferëve ka shkuar pa probleme dhe gjatë kësaj periudhe janë shkëmbyer mbi 6.300 dokumente.

Më së shumti kërkesa për ndërrim të patentë shoferëve janë paraqitur në veri të Kosovës, 5.574.

Në Leposaviq ka pasur 1.944 kërkesa, në Mitrovicën e Veriut 1.536, në Zubin Potok 940 dhe në Zveçan 1.154.