Elezi: Deri tani asnjë koalicion i deklaruar zyrtarisht, afati përfundon më 30 gusht
Foto: Zëri / Ilustrim

Elezi: Deri tani asnjë koalicion i deklaruar zyrtarisht, afati përfundon më 30 gusht

Aktuale August 26, 2024 - 09:42

Subjektet politike deri të premten kanë afat t’i deklarojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) koalicionet parazgjedhore për votimet e fillimvitit të ri, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi ka thënë se pas 30 gushtit secili subjekt politik që s’ka deklaruar koalicion deri në këtë datë do të obligohet të garojë i vetëm në zgjedhjet e 9 shkurtit.

“Sipas Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, partitë politike të cilat janë të regjistruara në KQZ dhe të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet në shkurt të viti 2025 përmes koalicionit duhet ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për regjistrim, certifikim dhe kontrollim financiar të subjekteve politike si duan të marrin pjesë në këto zgjedhje në këtë mënyrë. Afati i fundit për të bërë këtë njoftim është data 30 gusht pra deri në këtë kohë të gjitha partitë politike duhet të njoftojnë KQZ-në se në zgjedhjet e 9 shkurtit do të marrin pjesë përmes koalicionit”, ka thënë Elezi.

Zëdhënësi i KQZ-së ka deklaruar se deri të hënën nuk kanë pranuar asnjë koalicion.

“Koalicioni mund të ndërtohet nga së paku dy parti politike dhe partia politike nuk mund të tërhiqet nga koalicioni pasi të jetë certifikuar derisa rezultati i zgjedhjeve të certifikohet nga ana e KQZ-së. Gjithashtu partia politike e cila është anëtare e koalicionit nuk mund të marrë pjesë si anëtare në një koalicion tjetër, pra të partive të tjera ose edhe si parti e veçantë në procesin zgjedhor. Deri në këto momente që flasim në KQZ nuk kemi pranuar ndonjë njoftim nga ana e partive politike se do të kërkojnë certifikim në zgjedhje përmes koalicionit. Afati i fundit për të bërë këtë deklarimi është data 30 gusht”, tha ai për Ekonominë Online.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 9 shkurtin 2025 si datë të zgjedhjeve të përgjithshme. Vendimi vjen pas takimit ku presidentja dëgjoi të gjitha partitë.