BBC: Shefi i CIA-s foli më së shumti për Kosovën gjatë vizitës në Serbi

BBC: Shefi i CIA-s foli më së shumti për Kosovën gjatë vizitës në Serbi

Aktuale August 25, 2024 - 19:51

BBC (shërbimi në gjuhën serbe) shkruan se “jo zyrtarisht” kanë mësuar se në takimin mes Shefit të CIA-s, William Burns dhe zyrtarëve shtetërorë bisedat ishin “më shumë të natyrës politike se sa të inteligjencës” dhe se “Kosova ishte tema më së shumti e diskutuar” mes tyre.

Kështu shkruan media publike britanike (shërbimi në gjuhën serbe) në një artikull/analizë rreth vizitës së papritur të Burns në rajon, teksa konsultohet edhe me analistë të shquar të inteligjencës rreth vizitës së shefit të spiunazhit amerikan.

“Puna e tij si kreu i CIA është më pak me rëndësi se sa statusi i tij si figurë konfidenciale dhe i rëndësishëm në ekipin e politikës së jashtme të Joe Biden”.

Në dritë e këtij argumenti e përkthen peshën dhe rëndësinë e vizitës së William Burns, analisti i shquar i CIA-s, David Kanin, i cili ishte i angazhuar me çështje të rajonit në vitet e nëntëdhjeta.

Duke folur për këtë media Kanin ka edhe leximet e tij për vizitën aq të papritur të William Burns, për çka thotë se mund të jetë duke synuar një sukses të politikës së jashtme amerikane para konkludimit të zgjedhjeve në SHBA.

“Administrata (Biden) dëshiron të arrijë sukses në politikë të jashtme para përfundimit të mandatit në janar, ose madje edhe para saj, para vetë zgjedhjeve”, ka thënë Kanin.

BBC për Burns-in e nis qysh në fillim se “është e pazakontë” që një diplomat si ai që ka udhëtuar botën në fundet e karrierës të jetë edhe kreu i shërbimit të inteligjencës kombëtare.

Më tej, duke shtjelluar karakterin dhe profilin e tij, media i referohet disa shënimeve në gazetën prestigjioze New York Times.

“Ngritja e Burns është një ndryshim pothuajse i jashtëzakonshëm për figurën e gjatë, diskrete me sy të kujdesshëm, flokë të thinjur dhe mustaqe të gërvishtura, lloji që mund ta imagjinoni lehtësisht në një roman të John le Carré që i pëshpërit në vesh një zyrtari në një festë ambasade se qyteti po bie në duart e rebelëve dhe se ai do të presë me varkë në port në mesnatë”, shkroi Robert Draper në NYT.

“Si drejtor i CIA-s, ai i përgjigjet drejtpërdrejt dhe vetëm presidentit”.

“Kjo i jep atij një nivel të lartë besueshmërie me zyrtarët botërorë,” tha Shane Harris, e cila mbulon çështje të sigurisë në The Washington Post.

David Kanan, megjithatë, nuk beson se vizita e Burns në rajon – njëjtë si në Gaza – do të nxjerr diçka të re: ai e konsideron diplomacinë amerikane në këto dy rajone “ngërç”.

“Këtu nuk ka asgjë të re dhe nuk pres që të dalë asgjë nga ajo që unë e konsideroj diplomaci amerikane mjaft bajate në të dy vendet në Ballkan dhe në Lindjen e Mesme”, shton ky oficer me përvojë të inteligjencës.

Megjithatë BBC vlerëson se nuk është e pazakontë që kreu i CIA-s të vijë në Sarajevë vitet e fundit. Drejtori i CIA-s John Brennan ishte në Sarajevë në vitin 2016 kur u takua me kolegë nga agjencitë e inteligjencës, si dhe me anëtarë të Presidencës së BiH. Një nga paraardhësit e tij, Michael Hayden, gjithashtu erdhi në vitin 2007, dhe David Petraeus gjithashtu e vizitoi, por si ish-drejtor i CIA-s.

Ndryshe nga BeH, vizitat në Beograd, nëse ka pasur, mbahen rregullisht sekrete.

Dhe këtë herë, kur Burns mbërriti në Serbi, nuk pati njoftime zyrtare.

“Kemi pasur një takim të dobishëm, të sjellshëm dhe të rëndësishëm”, tha presidenti Aleksandar Vuçiq për vizitën e shefit të CIA-s.

Duke iu përgjigjur pyetjes së BBC-së në gjuhën serbe, ai shtoi, pa hyrë në detaje, se temat ishin “të rëndësishme për të ardhmen e Serbisë”.

Mediat raportuan më parë se Burns ishte pritur në Beograd nga Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) dhe drejtori i saj, Vladimir Orliq.

“Orliqi nuk bëri reklamë dhe as BIA”, thotë BBC.

Temat me zyrtarët serbë kanë qenë më shumë politike sesa për çështje inteligjence dhe në takime më së shumti është diskutuar për Kosovën, mëson jo zyrtarisht BBC.