Shqipëria është ndër furnizueset kryesore të luftës së Izraelit në Gaza, zbulon raporti

Shqipëria është ndër furnizueset kryesore të luftës së Izraelit në Gaza, zbulon raporti

Aktuale August 24, 2024 - 08:31

Një luftë kërkon kapacitete, mbi të gjitha kur zhvillohet në një kohështrirje të gjerë dhe në shkallë të lartë luftimesh.

Ajo ka ndodhur edhe me Izraelin dhe Hamasin që prej 7 tetorit 2023, kur një sulm masiv i organizatës terroriste Hamas la të vrarë mbi 1 mijë e 200 izraelitë në jug të vendit, pas një inkursioni të beftë dhe të paparashikuar.

Megjithatë, ajo çfarë pasoi ishte edhe më e ashpër dhe më brutale, me shtetin hebre, i cili ndërmori menjëherë hapa kundërpërgjigjeje, ndër më të ashprat ndonjëherë të para në Lindjen e Mesme.

Në Gaza mbi të gjitha, bombardimet, inkursionet, kanë lënë të vrarë të paktën 46 mijë persona dhe prej tyre, mendohet se gjysma janë fëmijë dhe një pjesë e madhe gra civile, e jo luftëtarë të Hamasit, siç pretendohet rëndom nga Izraeli.

Por, edhe këta të fundit, nuk do të arrinin të kishin vazhdimësinë që kanë pa mbështetje në aspektin logjistik dhe ky i fundit nuk vjen vetëm me armatime moderne dhe fonde.

Lufta kërkon karburant dhe këtë të fundit, Izraeli e importon, pasi kapacitet prodhimi për çfarë harxhon, ka vetëm 1.1% të totalit.

Kështu, aleatët duhet të furnizojnë shtetin hebre me karburant dhe sipas një raporti të fundit të Oil Change International, i publikuar edhe në median e Katarit, Al Jazeera, disa vende, janë ato të cilat mbajnë gjallë luftën e Izraelit.

Në listë janë aleatë të mëdhenj si SHBA-të, Brazili, Azerbajxhani, Kazakistani. Madje edhe Rusia e Vladimir Putin.

Por, ajo çfarë bie në sy më së shumti në kontekstin vendor, është se ndër 11 vendet që po furnizojnë luftën e Izraelit, është edhe Shqipëria.

Raporti e vë në dukje këtë, duke paraqitur edhe një skemë shpërndarjeje, ku Shqipëria në fakt është e katërta në listë, pas SHBA-ve, Rusisë dhe Brazilit, si vend që ka furnizuar Izraelin me naftë të rafinuar, e cila kryesisht përdoret për dy qëllime kryesore: Ngarkimin e avionëve luftarakë dhe ngarkimin e buldozerëve.

Nuk specifikohet nëse Shqipëria hyn te shtetet që furnizojnë më së shumti karburant për avionët luftarakë, apo naftë për mjetet e tonazhit të rëndë.

Sipas raportit ndërkaq, bie në sy edhe fakti se Shqipëria ka furnizuar Izraelin edhe më shumë se shtete të mëdha si Greqia fqinje, apo Italia fqinje, që kanë kapacitete më të gjera.

Raporti i Oil Change International ka ndjekur 65 ngarkesa me karburant drejt Izraelit për këtë hulumtim, nga ku ka nxjerrë edhe rezultatet, ku dërgesat e fundit kanë qenë të raportuara në korrik 2024.

Azerbajxhani, Kazakistani dhe Gaboni janë shtetet që kanë kryer lëvizjet më të mëdha, duke furnizuar Izraelin me rreth ¾ e nevojave të veta për naftë./AlbanianPost