Përfundon afati për patentat ilegale të shoferëve: dy ditët e ardhshme jepen vërejtje, nga e hëna gjoba
Foto:Laura Hasani

Përfundon afati për patentat ilegale të shoferëve: dy ditët e ardhshme jepen vërejtje, nga e hëna gjoba

Aktuale August 23, 2024 - 15:43

Pas skadimit të afatit për konvertimin e patentave ilegale serbe të shoferëve me ato të Kosovës, zëvendëskomandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Veriut, Veton Elshani, ka paralajmëruar shqiptimin e gjobave që do të fillojnë të hënën, më 26 gusht.

Deri atëherë, gjegjësisht gjatë dy ditëve të ardhshme, policia do të fokusohet në paralajmërimin e shoferëve, të cilët nuk e kanë zëvendësuar patentën serbe të shoferit me atë të Kosovës, pa shqiptuar gjoba, shkruan Radio Kontakt plus, transmeton Zeri.info.

“Pas orës 16:00, deri të hënën, do të paralajmërohen qytetarët. Nëse gjejmë dikë me patentë të paligjshme shoferi, do ta paralajmërojmë se nuk duhet ta drejtojë makinën, se është e paligjshme. Puna policore fillon nga e hëna”, tha Elshani.

Ai theksoi se policët në terren do të mundë të bëjnë vërejtje dhe gjoba, por shuma e gjobës do të jetë në juridiksionin e gjykatës.

Vozitësit që drejtojnë automjete të autorizuara me targa të qytetit nga Serbia dhe që kanë patentë shoferi të Kosovës, do të mundë të vazhdojnë vozitjen në veri të Kosovës, shtoi Elshani.

“Ne do ta tolerojmë edhe pse është e kundërligjshme, sepse e dimë se ka njerëz që nuk kanë letërnjoftim të Kosovës, prandaj nuk mund ta marrin patentën kosovare të shoferit”, ka saktësuar Elshani.

Policia vlerëson se janë me qindra të tillë që nuk kanë patentë shoferi të Kosovës dhe një nga arsyet është pikërisht mungesa e dokumenteve personale.

“Këtu ka njerëz që kanë letërnjoftime jokosovare dhe patenta serbe të shoferit. Unë e di që tani nuk mund të zgjidhet, por mendoj se do të zgjidhet ose me vendim tjetër të Qeverisë, ose në Kuvend”, tha Elshani.

Afati për shkëmbimin e patentave të shoferëve të Serbisë me ato të lëshuara nga autoritetet e Kosovës skadon sot, në orën 16:00.

Gjithsej 6.325 kërkesa janë dorëzuar deri më tani në gjithë Kosovën për ndërrimin e patentës serbe të shoferit me atë të Kosovës, nga të cilat shumica janë në veri, ose 5.374 sosh. /Zëri