Kurti viziton Shërbimin Korrektues të Kosovës

Kurti viziton Shërbimin Korrektues të Kosovës

Aktuale August 23, 2024 - 14:06

Kryeministri Albin Kurti vizitoi ditën e sotme objektin qendror të Shërbimit Korrektues të Kosovës në Prishtinë.

Në këtë vizitë ai shoqërohej nga ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Në qëndrimin atje u bisedua mbi punën dhe sfidat e Shërbimit Korrektues, teksa në 11 burgjet e Kosovës ndodhen gjithsej 1734 të burgosur, prej tyre 1120 të dënuar.

“U theksua miratimi i Ligjit për SHKK-në, me të cilin janë themeluar njësi të reja, si ato për vlerësimin dhe klasifikimin e të burgosurve, për inteligjencë, njësia ekonomike dhe themelimi i Institucionit për trajtimin e personave me nevoja të veçanta, si dhe miratimi i planit zhvillimor strategjik për SHKK-në 2023-2027, përmes të cilit synohet përmbushja e vizionit të agjencisë”, thuhet në njoftimin nga Qeveria.

Gjithashtu u fol edhe për programet rehabilituese dhe aftësimin profesional për të dënuarit dhe mundësitë e bashkëpunimit me organizata të ndryshme.

Tutje u tha se me qëllim përmirësimin e infrastrukturës, me përkrahjen e Qeverisë është ndarë buxheti prej 8 milionë eurosh për ndërtimin e qendrave të reja korrektuese, e ato janë: Qendra Korrektuese për Femra në Lipjan; Qendra e Paraburgimit në rajonin e Prizrenit me kapacitet prej 300 shtretërish; dhe zgjerimi i Institutit të Psikiatrisë Forenzike. /Zëri