Qeveria: Vizita historike e drejtorit të CIA-s, dëshmi e marrëdhënieve të forta Kosovë - SHBA

Qeveria: Vizita historike e drejtorit të CIA-s, dëshmi e marrëdhënieve të forta Kosovë - SHBA

Aktuale August 23, 2024 - 13:14

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka pritur në takim drejtorin e CIA-s, William Burns.

Përmes një komunikate për media, Qeveria ka dhënë detaje nga ky takim, transmeton Zeri.info.

Sipas Qeverisë, kjo vizitë përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet bilaterale Kosovë – SHBA, ku u theksua përkushtimi i Qeverisë dhe institucioneve të sigurisë dhe inteligjencës së Kosovës, me në krye AKI-në, për të avancuar bashkëpunimin me CIA-n.

“Vizita historike e drejtorit të CIA-s, z. William Burns, vlerësohet lart nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”.

“Kryeministri Kurti e falënderoi drejtorin e CIA-s për mbështetjen e vazhdueshme dhe shprehu përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët, duke e njoftuar atë që vlerat amerikane, që ndërlidhen me demokracinë, sundimin e rendit dhe ligjit dhe orientimet e palëkundura euroatlantike, do të mbeten shtyllat qendrore të qeverisjes së mirë e demokratike në Kosovë”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.

Tutje thuhet se Kurti e njoftoi drejtorin Burns me rritjen dhe zhvillimin ekonomik, si dhe progresin shoqëror e demokratik të Kosovës, duke theksuar që të gjitha sfidat e brendshme të sigurisë po menaxhohen suksesshëm me forcën e ligjit të drejtë të shtetit tonë demokratik.

“Në këta tre vjetët e fundit, ai shtoi që Bruto Produkti Vendor i Kosovës është rritur për 33%, kurse buxheti shtetëror për 35%, me ç’rast 11,1% (ose 1/9) e buxhetit vjetor i dedikohet Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes”. /Zëri