Hamiti: LVV-ja po e dëshiron kapjen e mediave dhe të gjyqësorit
Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Muhamet Hamiti, ka reaguar ndaj sulmeve që pushteti po ua bën mediave.
Ai ka bërë me dije se kjo është një përpjekje e partisë në pushtet për të kapur edhe mediat dhe gjyqësorin.
Në këtë mënyrë, sipas zyrtarit të LDK-së, LVV-ja dëshiron ta përmbushë synimin për pushtet absolut.
“Mbasi tash e gati katër vjet i ka dy degët kryesore të pushtetit në Kosovë, legjislativin dhe ekzekutivin, pushteti i Vetëvendosjes po e kërkon ende kontrollin edhe në dy degët e tjera, në gjyqësor dhe në media, për ta përmbushur synimin për pushtetin absolut – #KREJTdheDREJT. Kur nuk ia del t’i kontrollojë plotësisht, i sulmon mediat dhe gjyqësorin”, shkroi ai në profilin e tij në “Facebook”.
Më tej, ai ka përmendur edhe dëmet që kjo parti ia ka sjellë Kosovës.
“Le të përkujtojmë se Kosova është në muajin e 14-të të sanksioneve ndërkombëtare, për herë të parë në historinë e vet. Pa asnjë njohje ndërkombëtare në kohën e regjimit të ri që po vjetrohet. Le të përkujtojmë po ashtu se Departamenti Amerikan i Shtetit ka raportuar për korrupsion të rëndë qeveritar (serious government corruption) në Kosovë nën pushtetin e Vetëvendosjes”, shkroi Hamiti.