Bedri Hamza realizon takim të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë
Foto: Laura Hasani

Bedri Hamza realizon takim të nivelit të lartë në Shtëpinë e Bardhë

Aktuale August 07, 2024 - 23:32

Kryetari i Mitrovicës dhe njëherësh kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, sapo ka përfunduar një takim në Shtëpinë e Bardhë në Uashington DC.

Sipas raportimit të Nacionales, Hamza ka zhvilluar një takim të nivelit të lartë me asistentin special të presidentit Biden dhe drejtorin senior për Evropë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, ambasadorin Michael Carpenter.

Po ashtu, siç raportohet, ai pritet të zhvillojë edhe takime në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, në Departamentit e Shtetit dhe me organizata joqeveritare e personalitete të shquara.

Hamza është personi zyrtar i shtetit që pritet në Shtëpinë e Bardhë pas një periudhe të gjatë.

Ambasadori Carpenter, një nga udhëheqësit kryesorë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë (NSC), është një figurë kyçe në çështjet e sigurisë nacionale të SHBA-së. Ai ka shërbyer më parë si shef i misionit të ShBA-së në OSBE.

Hamza në fund të muajit qershor ishte pritur në takim në ambasadën e ShBA-së në Kosovë nga ambasadori amerikan, Jeff Hovenier.

Në këtë takim ishte diskutuar për zhvillimet në vend dhe për rritjen e bashkëpunimit me SHBA-në.