Vuçiqi fut nga hiçi në diskurs “pogromin” e serbëve nga Kosova

Vuçiqi fut nga hiçi në diskurs “pogromin” e serbëve nga Kosova

Aktuale August 07, 2024 - 22:15

Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka ngritur një pretendim të paqenë duke e futur në diskurs mundësinë e dëbimit masiv të serbëve nga Kosova.

Derisa i pari i shtetit serb po qëndronte në Vërbas Novi, Serbi, ai tha se “situata në Kosovë është e rëndë, mirëpo pogrom, sikurse ai i vitit 2004, sigurt nuk do të ketë”.

“Situata është e vështirë, por do të luftojmë. Nuk do të dorëzohemi”, ka thënë Vuçiqi para gazetarëve, raporton “Danas”.

Ai shtoi se është po ashtu i shqetësuar se “bashkësia ndërkombëtare po hesht ndaj provokimeve të Prishtinës”.

Këto pretendime, presidenti i Serbisë i ka ngritur në kohën kur qeveria e Kosovës po synon hapjen për qarkullim automjeteve të Urës së Ibrit në Mitrovicë.

Kundër kësaj ideje në këtë kohë kanë dalë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, si ShBA-ja e BE-ja.

Megjithatë, qeveria ka nisur inspektimet e urës për të parë se sa e sigurt është ajo për kalim të automjeteve.

Vuçiqi dje po ashtu pretendoi pa fakte se do të ketë tubim të shqiptarëve në pjesën jugore të Mitrovicës si kundër-masë ndaj protestës së paralajmëruar të serbëve nga veriu për ditën e sotme.

Protesta e serbëve u mbajt, mirëpo jo edhe ajo e shqiptarëve.

Për këtë pretendim të Vuçiqit, dje reagoi kryeministri Albin Kurti, duke thënë se janë akuza të rreme nga presidenti i Serbisë dhe se të njëjta “shpesh janë pararendëse të një sulmi të planifikuar nga Serbia”.

Qytetarë serbë në pjesën veriore të vendit sot protestuan kundër hapjes së Urës së Ibrit. Ata pretenduan se me hapjen e saj do të rrezikohet siguria e tyre.

Qeveria ndërkaq vazhdimisht ka thënë se me hapjen e saj nuk po kërcënohet askush. /Klankosova.tv