Pas plagosjes në Fushë-Kosovë, Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist institucioneve: Po i vrisni gratë
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur aksion simbolik para Stacionit Policor në Prishtinë dhe pastaj para Prokurorisë së Shtetit, në muret e të cilave kanë shkruar “Po i vrisni gratë”.
Aksioni vjen pas plagosjes së gruas në Fushë-Kosovë dhe lirimit të dorasit, burrit të saj, pas arrestimit të tij dy ditë më parë për dhunë në familje.
Sipas Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, shteti po mban anën e dhunuesve në luftën e dhunës ndaj grave.
“Jemi mbledhur këtu për ta shprehur revoltën tonë me neglizhencën e jetëve të grave dhe normalizimin e dhunës së gjinizuar nga institucionet e shoqëria. Veç brenda një jave një burrë e vrau gruan në Graçanicë dhe një tjetër tentoi ta vriste gruan në Fushë-Kosovë. Ky i fundit ishte arrestuar pak ditë më parë për dhunë në familje, për t’u liruar pas 48 orëve në procedurë të rregullt. Në këtë luftë shteti vazhdon ta mbajë anën e dhunuesve”, tha përfaqësuesja e kësaj organizate, e cila nuk deshi të prezantohet për media, raporton Ekonomia Online.