Dedaj për incidentin e Osmanit: Dështim i diplomacisë kosovare, i takon MPJD-së të monitorojë raste të tilla
Gjergj Dedaj, ish-ambasador i Kosovës në Maqedoni e ka quajtur “skandal diplomatik tipik primitiv ballkanik” incidentin e mbrëmshëm ndaj presidentes Vjosa Osmani, ku sigurimi i aeroportit të Shkupit ka tentuar që t’ia marrë telefonin e saj privat dhe ta shtyjnë.
Dedaj ka thënë se marrja e telefonit nuk është skandal por kontrollimi i tij dhe shtyerja fizike është veprim i mendjemadhësisë.
Ai shtoi se në kohën e tij sa ka qenë ambasador nuk ka pasur raste të tilla.
“Është skandal diplomatik tipik primitiv ballkanik pasi lëvizja e lirë e autoriteteve shtetërore duhet të jetë pa pengesa, duhet të ketë respekt për ta. Nuk ka ndodhur asnjëherë të ketë skandale të tilla në kohën time kur kam pritur Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn, Avdullah Hotin”, ka deklaruar Dedaj.
Ai ka thënë se ky rast është “dështim i diplomacisë së Kosovës”, pasi sipas tij i takon MPJD-së të monitorojë dhe të njoftojë ambasadën e Kosovës në Maqedoni për intenerarin e vizitës duke përmendur këtu raportet në mes të Osmanit e Gërvallës për të cilat tha se pati raportime se ka plasaritje të tyre.
Sipas Dedajt, MPJD-ja është dikasteri që “duhet të monitorojë dhe lehtësojë përmes ambasadës së Kosovës në Maqedoni vizitat e tilla”.
“Është dështim i diplomacisë së Kosovës, po hetohen disa plasaritje në mes të Osmanit dhe Gërvallës dhe Kurtit. MPJD-ja është ajo që e monitoron dhe lehtëson përmes ambasadës së Kosovës në Maqedoni”, u shpreh Dedaj. /dukagjini