Krasniqi: Gjykata shtyn ekzekutimin e rregullores diskriminuese të Komunës së Graçanicës, që ka të bëjë me lejet ndërtimore
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shtyrë ekzekutimin e një rregulloreje diskriminuese të nxjerrë nga Komuna e Graçanicës, që ka të bëjë me kushtet ndërtimore për ndërtesat nën kompetencën e Komunës.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, thotë se “sapo jam njoftuar se Gjykata Themelore në Prishtinë, ka nxjerrë aktvendim duke shtyrë ekzekutimin e një Rregullore diskriminuese të Komunës së Graçanicës derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor”.
“Procedurën gjyqësore në këtë rast e ka inicuar Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, kundrejt Komunës së Gracanicës, e cila kishte nxjerrë Rregullore diskriminuese mbi kushtet e përgjithshme për parcelim, rregulla dhe procedurën e ndërtimit të objekteve dhe lëshimin e kushteve ndërtimore për ndërtesat nën kompetencën e komunës”, ka shkruar Krasniqi, transmeton Telegrafi.
Sipas Krasniqit, kjo Rregullore ka hyrë në fuqi në vitin 2018, duke mos u shqyrtuar nga ministritë e linjes.
“Sipas vlerësimeve profesionale të MAPL dhe jo vetëm, kjo Rregullore dhe praktikat që janë ndjekur në bazë të saj, janë në kundërshtim me rregullativën e përgjithshme kushtetuese dhe ligjore në Republikën e Kosovës. Nga viti 2018 e deri me tani, kur ne e kundërshtuam këtë Rregullore diskriminuese, shumë kërkesa dhe procedura pronesore të qytetarëve, kryesisht shqiptarë, janë refuzuar nga komuna e Graçanicës, duke ua pamundësuar në këtë mënyrë qytetarëve disponimin e lirshëm dhe ligjor të pronës së tyre”, ka shkruar ai.
Krasniqi ka thënë se “Komunat duhet të ofrojnë kushte të favorshme për qytetarët dhe jo t’i pengojnë dhe penalizojnë ata, mbi çfarëdo baze. Andaj, në përputhje me mandatin tonë kushtetues dhe ligjor, asnjëherë nuk do të qëndrojmë indiferent ndaj akteve dhe praktikave diskriminuese të asnjë komune”.
Ditë më parë Telegrafi ka shkruar se Komuna e Graçanicës ka shpërfillur kërkesat nga institucionet për harmonizimin e Rregullores Nr.03/18/KG të datës 26.09.2018, për lejet e ndërtimit, pasi që është konstatuar që rregullorja në fjalë është në kundërshtim me dispozitat e legjislacionit në fuqi.
Si rrjedhojë e miratimit të kësaj Rregullore në vitin 2018, banorët shqiptarë në Graçanicë kanë shprehur shqetësimin e tyre për diskriminim që po u bëhet sa i përket marrjes së lejeve për ndërtim. /telegrafi