Edhe dhjetë ditë për konvertim të patentë shoferëve për serbët e Kosovës: Çfarë pastaj?
Foto: Laura Hasani

Edhe dhjetë ditë për konvertim të patentë shoferëve për serbët e Kosovës: Çfarë pastaj?

Aktuale July 29, 2024 - 17:09

Pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë kanë edhe dhjetë ditë afat për t'i konvertuar patentë shoferët e tyre - që janë lëshuar nga autoritetet serbe - në ato të autoriteteve të Kosovës.

Nëse nuk veprojnë ashtu deri më 9 gusht, dhe policia i ndalon gjatë vozitjes, ata do të konsiderohen se e kanë drejtuar veturën pa patentë shoferë, kanë thënë zyrtarë të Policisë së Kosovës në disa përgjigje për Radion Evropa e Lirë (REL).

Zyrtarët policorë theksojnë se, në përputhje me vendimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, ndaj këtyre individëve do të shqiptohen gjoba, me mundësi të konfiskimit të automjeteve.

Shuma e gjobave, sipas ligjit, është nga 500 deri në 1.500 euro.

Cila është procedura për marrjen e patentë shoferit të Kosovës?

Më 7 maj, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka marrë vendim për të lejuar qytetarët e komunitetit serb t'i konvertojnë patentë shoferët serbë me ata të lëshuar prej autoriteteve të Kosovës.

Vendimi ka hyrë në fuqi dy ditë më vonë, më 9 maj, dhe do të zbatohet deri më 9 gusht 2024.

Për marrjen e patentë shoferit të Kosovës, nuk duhet nënshtruar ndonjë testi të vozitjes.

Krejt çfarë duhen janë:

letërnjoftimi i Kosovës,

patentë shoferi origjinal, i lëshuar nga autoritetet serbe, dhe

një certifikatë e kontrollit mjekësor.

Sa patentë shoferë janë zëvendësuar?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë më 27 korrik se rreth 4.000 serbë nga Kosova kanë dorëzuar kërkesë për konvertimin e patentë shoferëve të tyre, të lëshuar prej Serbisë, me ata të Kosovës.

Në këtë shifër bëjnë pjesë kryesisht serbë nga veriu i Kosovës, sepse ata në jug të Ibrit patentë shoferët e Kosovës i kanë marrë rreth 10 vjet më parë.

“I ftoj të gjithë ata që nuk kanë aplikuar ende për konvertim të patentë shoferit që ta shfrytëzojnë këtë mundësi, e cila ofrohet në të gjitha komunat deri më datë 9 gusht. Falënderoj qytetarët për bashkëpunimin e vazhdueshëm me institucionet tona”, ka thënë Kurti përmes një postimi në Facebook.

Procesit të pajisjes me patentë shofer të Kosovës i ka paraprirë procesi i riregjistrimit të veturave me targa serbe në targa RKS (Republika e Kosovës), sidomos për ato me regjistrimin KM (Mitrovica e Kosovës).

Procesi i riregjistrimit të automjeteve, i cili ka zgjatur prej fundit të vitit 2022 deri në mesin e dhjetor të vitit 2023, ka nxitur një sërë krizash në veri të Kosovës: daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës, protesta, barrikada, bojkot të zgjedhjeve, dhe gjithçka kulmoi me një sulm të armatosur të një grupi të organizuar të serbëve kundër Policisë së Kosovës.

Autoritetet e Kosovës nuk i njohin dokumentet e lëshuara nga Serbia për qytetet e Kosovës.

Megjithatë, në disa raste ato “tolerohen”, për shkak se procesi i integrimit të serbëve në sistemin e Kosovës nuk është përfunduar plotësisht.

Nga ana tjetër, Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 2008, dhe nuk është ndalur asnjëherë së lëshuari dokumente për territorin e Kosovës.

Autoritetet serbe i lëshojnë këto dokumente prej qyteteve të ndryshme të Serbisë.

Në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, i cili ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, të dyja palët kanë arritur marrëveshje për njohjen e dokumenteve personale, por nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë me dokumentet e lëshuara nga Serbia për serbët që banojnë në Kosovë.

Prandaj, palët shpesh interpretojnë ndryshe-ndryshe marrëveshjen e Brukselit.

Çfarë do të ndodhë pas afatit?

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin verior, Veton Elshani, ka thënë për REL-in se Policia e Kosovës nuk do t'i "tolerojë" më ato patenta që u jepen serbëve me banim në Kosovë, pas skadimit të afatit për pajisjen e tyre me patentë shoferë të Kosovës.

Ai tregon se në atë rast, një individ do të gjobitet për mosposedim të patentë shoferit.

“Pas shqiptimit të një gjobe të tillë, vetura duhet të drejtohet nga dikush që ka patentë shofer [kosovar]. Nëse [pronari i veturës] nuk ka dikë tjetër që ta largojë makinën, ajo duhet të parkohet diku menjëherë, ose do ta konfiskojmë”, thotë Elshani. /REL

Shkrimin e plotë mund ta lexoni : KETU