Shpallja e konkursit për pranimin e minoritetit serb në Policinë e Kosovës në veri, kërkohet kujdes në rekrutimin e tyre
Foto: Laura Hasani

Shpallja e konkursit për pranimin e minoritetit serb në Policinë e Kosovës në veri, kërkohet kujdes në rekrutimin e tyre

Aktuale July 28, 2024 - 10:01

Policia e Kosovës ka shpallur sërish këtë javë një konkurs për aplikim për komunitetin serb në veriun e Kosovës. Megjithatë po kërkohet që të bëhet kujdes në selektimin e tyre për shkak se mund të jenë të njëjtë me ata që kishin dhënë dorëheqje para 2 vitesh.

Në nëntor të vitit 2022 kishin dhënë dorëheqje masive, pas shkarkimit të drejtorit Rajonal të Policisë në Mitrovicën Veriore.

Kështu, afër 600 zyrtarë policorë të komunitetit serbë në komunat veriore kishin zhveshur uniformat e Policisë së Kosovës.

Që nga ajo kohë, ky institucion vazhdimisht ka hapur konkurse për plotësimin e vendeve që kishin mbetur të lira.

Një i tillë është hapur sërish edhe këtë javë, ku bëhet thirrje për aplikim nga të gjitha komunitetet pakicë në vend.

Nënkoloneli në pension i Policisë po vlerëson se mosaplikimet në atë pjesë të vendit po bëhen për shkak të presionit nga disa grupe kriminale që janë ende prezente.

“Gradualisht ata do të binden se duhet të marrin pjesë në Policinë e Kosovës duhet të konkurrojnë në Policinë e Kosovës për arsye se edhe atje një pjesë është popullatë e tyre serbëve ku dmth të gjitha nacionalitet kanë të drejtë të marrin pjesë në këtë konkurs të shpallur nga Policia. Prandaj përsëritja e vazhdueshme ka të bëjë që të plotësohet kuota e konkursit në mënyrë që edhe pjesëtarët e nacionalitetit serb e nacionaliteteve tjera boshnjakë etj që jetojnë në atë pjesë të inkorporohen në Policinë e Kosovës”, tha nënkoloneli në pension, Refki Morina.

Derisa shton se duhet pasur kujdes në selektimin e personave nga ky komunitet, për shkak se mund të jenë të njëjtë me ata që kanë dhënë dorëheqje.

“Mos në Policinë e Kosovës të na hyjnë persona të cilët në një mënyrë apo tjetër në mënyrë direkte apo indirekte kanë qenë të involvuara në grupet e mëparshme kriminale. Prandaj duhet të kemi kujdes për arsye se nëse na infiltrohen persona të tillë atëherë në të ardhmen jo fort të largët do të kemi probleme prapë me pjesëtarë të atyre policive të cilët në një mënyrë ose tjetër kanë qenë pjesë e atyre grupeve ose në një mënyrë nuk janë tërheq nga këto grupe prandaj duhet të ketë kujdes”, tha ai.

E ish-zv.ministri i Punëve të Brendshme thotë se pjesëtarët e komunitetit serb që pranohen në këtë institucion, të shpërndahen në gjithë territorin e Kosovës.

“Bëhet pyetja athu do t’i shërbejnë Kosovës apo mos po krijojnë lidhje sikur që u pa qartë që vetëm Vuçiqi i kish komanduar atë pjesën që e lëshuan para 2 viteve. Prandaj mos me ardhë deri te ajo një numër i konsiderueshëm i përqindjes së popullatës shqiptare një numër duhet me qenë edhe në ato pjesë shqiptar por prania e përqindjes sa janë serbë aq duhet edhe në Polici të ketë”, tha Hajrullah Tërnava për Tëvë1.

Thirrje për aplikim ka bërë vazhdimisht edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.