“Shijo Kosovën”, lansohet edicioni i platformës kushtuar mërgatës

“Shijo Kosovën”, lansohet edicioni i platformës kushtuar mërgatës

Aktuale July 27, 2024 - 21:16

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka njoftuar se është lansuar edicioni për këtë vit i platformës “Shijo Kosovën”, duke sjellë aktivitete të shumta për mërgatën anembanë Kosovës.

“Platforma “Shijo Kosovën” është një përmbushje e zotimit të institucioneve të Republikës së Kosovës ndaj mërgatës, ajo fuqizon lidhjen mes mërgatës dhe Kosovës, duke ofruar organizime të shumta që do të fuqizojnë lidhjet e mërgatës me Kosovën, të rrisin ndërveprimin mes të rinjve, bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave në fusha të ndryshme,” tha Ministrja Gërvalla, në ceremoninë e lansimit të edicionit.

Siç njoftojnë nga MPJD, Gërvalla, përpara dhjetëra përfaqësuesve të organizatave joqeveritare dhe mysafirëve të tjerë, tha që platforma “Shijo Kosovën” është një mekanizëm i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve tona me mërgatën, duke kontribuar në ruajtjen dhe forcimin e identitetit dhe shtetit tonë.

Ndërkohë theksohet se zëvendësministrja Liza Gashi prezantoi platformën dhe aktivitetet, duke theksuar se përmes saj pasqyrohen aktivitetet kulturore, sportive dhe rekreative, të cilat zhvillohen në të gjitha komunat tona në nivel të Kosovës. 

"Në kuadër të thirrjeve publike të MPJD-së për mbështetjen e projekteve në fushën e përfshirjes së të rinjve nga mërgata dhe diplomacisë publike, gjatë këtij viti janë mbështetur 97 projekte, me një vlerë totale që arrin mbi 800 mijë euro, kontratat e të cilave u nënshkruan në këtë ceremoni”, thuhet në komunikatë.