Domi: SHBA-së i duhet qasje e re diplomatike në bisedimet mes Kosovës e Serbisë

Domi: SHBA-së i duhet qasje e re diplomatike në bisedimet mes Kosovës e Serbisë

Aktuale July 27, 2024 - 16:31

Tanya Domi, profesoreshë e Çështjeve Ndërkombëtare dhe Publike në Universitetin Columbia në Nju Jork, thotë se SHBA-së i duhet një qasje e re diplomatike në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, që do të mund të përfshinte sanksionet për aktorët jokonstruktivë.

Në intervistën dhënë Radios Evropa e Lirë, ekspertja për Ballkanin thotë se ka pasur një zhgënjim me politikën e jashtme të administratës Biden, kur bëhet fjalë për Kosovën, pavarësisht mbështetjes së tij historike për të.

“Një nismë e re diplomatike që mund t’i angazhojë palët në një mënyrë që nuk është aplikuar më herët” është më se e nevojshme, sipas Domit.

Radio Evropa e Lirë: Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se tërheqja e presidentit amerikan, Joe Biden, nga gara për rizgjedhje shënon fundin e një epoke, veçanërisht për Kosovën. A do të pajtoheshit me këtë?

Tanya Domi: Joe Biden është personi i fundit në Qeverinë federale, e sidomos në Shtëpinë e Bardhë, i cili ka qenë i angazhuar aktivisht në çështje që kanë të bëjnë me Kosovën. Qysh në vitin 1999, ai ka mbështetur ndërhyrjen e NATO-s [për ndaljen e dhunës në Kosovë]. Ka qenë mbështetës i fuqishëm i saj edhe për faktin se ka qenë mjaft aktiv në Bosnje dhe, rrjedhimisht, mjaft mirë i informuar për çështjet në terren, në atë kohë.

Të gjithë të tjerët e kanë lënë Qeverinë - disa janë pensionuar, disa kanë vdekur - me përjashtim të ndihmësit të sekretarit amerikan të Shtetit, James O’Brien.

Radio Evropa e Lirë: A ka ndonjë gjë që ka mundur të bëhet më mirë gjatë presidencës Biden, kur bëhet fjalë për Kosovën?

Tanya Domi: Ka pasur një zhgënjim të përgjithshëm në lidhje me politikën e jashtme të Bidenit dhe unë pajtohem. Jam cituar në shumë artikuj të kem thënë se ndërveprimet e zyrtarëve amerikanë me Kosovën - qoftë publikisht, qoftë prapa skenave - kanë qenë zhgënjyese. Ka pasur edhe një qëndrim shumë agresiv ndaj [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti, i cili i ka kritikuar hapur zyrtarët amerikanë. Dhe, kjo ka çuar në disa fërkime.

Radio Evropa e Lirë: Kamala Harris ka siguruar mbështetje të mjaftueshme në mesin e delegatëve të Partisë Demokratike, për t’u bërë kandidate e saj për presidente. Por, në karrierën e saj, çështja e Kosovës nuk përmendet. Sa e rëndësishme është kjo?

Tanya Domi: Ju nuk do të keni asnjë zyrtar të tillë amerikan. Nëse Kamala Harris zgjidhet, ajo do të duhej të mësonte për Kosovën. Kështu vepron secili kur nuk ka përvojë në politikën e jashtme për një vend të caktuar. Kjo është edhe një prej arsyeve përse ekzistojnë Departamenti i Shtetit dhe Këshill i Sigurisë Kombëtare brenda Shtëpisë së Bardhë.

Radio Evropa e Lirë: Ish-presidenti Donald Trump është, po ashtu, lart në sondazhe. Çfarë do të nënkuptonte një mandat i dytë i Trumpit për Kosovën? Dua të kujtoj këtu se, gjatë mandatit të tij të parë, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, por zyrtarë të administratës së tij janë kritikuar në Kosovë për më shumë anim nga Serbia.

Tanya Domi: Po, mendoj se ka pasur një favorizim të hapur ndaj serbëve. Jared Kushner [dhëndri i Trumpit] ka bërë një marrëveshje me Qeverinë serbe për një pasuri të paluajtshme.

Kështu që e kuptoj pse [në Kosovë] mund të ndihen paksa të mërzitur për këtë. Është një situatë e vështirë. Trump, për shembull, ka thënë se do ta nxirrte SHBA-në nga NATO-ja. Një gjë e tillë do të ishte goditje e drejtpërdrejtë mbi Kosovën, që ka prani të NATO-s në territorin e saj e që, me gjasë, e ndalon [presidentin e Serbisë] Aleksandar Vuçiq të kalojë kufirin.

Radio Evropa e Lirë: Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë ka ngecur. A mendoni se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen më shumë në këtë proces?

Tanya Domi: Mendoj se SHBA-ja ka një trashëgimi në Ballkan, sidomos në Kosovë dhe në Bosnje. Administrata aktuale nuk është angazhuar në ndërmarrjen e ndonjë nisme diplomatike. Mendoj se kjo duhet rishikuar.

Unë do të rekomandoja fuqishëm një angazhim të ri diplomatik në rajon.

Radio Evropa e Lirë: A e prisni këtë qasje të re nga administrata e re?

Tanya Domi: Mendoj se është një mundësi për ta bërë këtë, është vërtet e rëndësishme.

Radio Evropa e Lirë: Cila do të ishte rrugëdalja?

Tanya Domi: Një nismë e re diplomatike që mund t’i angazhojë palët në një mënyrë që nuk është aplikuar më herët.

Dua të them se qasja e vazhdueshme e BE-së ka qenë një dështim në këtë dialog.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, cila do të ishte ajo qasje e re?

Tanya Domi: Politika e sanksioneve mendoj se do të duhej të ishte pjesë e nismës së re. Deri më tash ka pasur vetëm ujë që ka rrjedhur - kanë menaxhuar, por nuk kanë iniciuar. Dhe, mundësia për ta rishikuar këtë dhe për t’u angazhuar me një qasje tjetër, do të duhej të ishte një ndërmarrje e madhe. /REL