Koci jep detajet e fundit për rastin e Faton Hajrizit: Çdo informacion po e marr me rezervë të madhe
Foto: Laura Hasani

Koci jep detajet e fundit për rastin e Faton Hajrizit: Çdo informacion po e marr me rezervë të madhe

Aktuale July 26, 2024 - 23:55

I angazhuar nga familja e Faton Hajrizit për kthimin e trupit të tij në Kosovë, avokati Arianit Koci, ka thënë se zyrtarët e Serbisë kanë kërkuar analiza shtesë për ta identifikuar trupin e Faton Hajrizit, duke përmendur pështymën e nënës dhe sekretin prej hundës në mënyrë që të analizohet lidhja gjenetike.

Koci deklaroi se u ka thënë zyrtarëve serb që kjo kërkesë është dashur të bëhej në fillim, sepse sipas tij në këtë kohë është e pa arsyeshme.

“Sot pasdite e pata një kërkesë të re prej policisë serbe po kërkojnë që t’ia marrin pështymën dhe sekretin prej hundës të nënës së Fatonit, për shkak se sipas tyre, disa të dhëna nuk po përputhen. Në atë kontekst diçka i përmendën edhe shenjat e gishtërinjve”, ka thënë Koci.

I pyetur se a e konsideroni se është çështje e mbyllur se personi që është vrarë në Serbi është Faton Hajrizi, ai deklaroi se situata është komplekse dhe se ka një tension që ende nuk është e qartë.

Madje ai theksoi se tash çdo informacion po e merr me rezervë të madhe.

“Situata momentale është shumë komplekse. Ka një tension edhe nuk është e qartë ende. Pra tash kam fillu me i besu atij parimit që në këto raporte kurgjë nuk duhet me besu. Pra çdo informacion e marr me një rezervë të madhe”, u shpreh Koci.

Tutje, avokati i familjes Hajrizi, tha se ka kërkuar nga zyrtarët policorë që kufomën ta shoh nëna e të ndjerit, por që zyrtari policor ka thënë se kufoma është e mbyllur hermetikisht dhe nuk është në gjendje të mirë.

“Unë kërkova menjëherë momentin që kur më thanë që duhet me ardh nëna e Faton Hajrizit. Unë thash ‘ok’ nëse vjen zonja duhet me ia mundësu që me pa kufomën”, tha Koci.

“Më tha: ‘Kufoma nuk mundet me u pa se është e mbyllur hermetikisht’ dhe më tha që nuk është në gjendje të mirë”, përfundoi ai. /tëvë1