Zgjatja e mandatit të Lajçakut në dialog, Hajdari: Druaj se do të punojë më shumë në favor të Serbisë
Foto: Laura Hasani

Zgjatja e mandatit të Lajçakut në dialog, Hajdari: Druaj se do të punojë më shumë në favor të Serbisë

Aktuale July 26, 2024 - 23:53

Mandati i emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, është zgjatur zyrtarisht deri më 31 janar të vitit 2025.

Për këtë ka folur opinionistja në Gjermani, Vjollca Hajdari, e cila tha se druan që deri në janar të vitit 2025, Lajçaku do të vendosë më shumë në favor të Serbisë sesa në atë të Kosovës.

“Nuk është ndonjë hap që na befason. Ishte më shumë një vazhdimësi e politikës së deritanishme, gjegjësisht po vazhdon ky kurs i kritikës, i cili është shtruar deri më tani nga Mirsolav Lajçaku”.

“Kjo ka edhe një lloj karakteri simbolik, pra që Lajcaku vjen nga një vend që akoma s’e ka njohur pavarësinë e Kosovës, Sllovakia. Por, druaj se deri në janar të vitit 2025, Lajçaku do të vendosë më shumë në favor të Serbisë dhe mbetet të shihet se si do të zhvillohet edhe më tej kjo politikë”, tha Hajdari.

Tutje, Hajdari tha se druan që Lajçaku do të punojë më shumë në drejtim që politika të shkojë në favor të Serbisë, e ku dihet që sipas saj, Serbia tash e sa kohë po e kërkon me ngulm formimin sa më të shpejt të Asociacionit.

“Ne të gjithë do të donim që zgjatja e mandatit të tij të krijonte një dinamikë të ri, duke e ditur se Kosova aktualisht po stagnon në çdo aspekt, por unë druaj që Lajçaku, duke qenë se e kemi parë politikën e tij të deritanishme”.

“Dhe duke qenë se Lajçaku e ka ushtruar funksionin e avokatit në vend që ta ushtronte funksionin e një ndërmjetësi, i cili do të ishte i paanshëm, kjo më bën që të druaj se ndoshta edhe një herë do të punohet më shumë në drejtim që politika të shkojë në favor të Serbisë, ku dihet që Serbia po e kërkon formimin sa më të shpejt të Asociacionit”, tha ajo. /klankosova