Presidentja fton liderët e partive për konsultime rreth datës së zgjedhjeve, LDK-ja konfirmon pjesëmarrjen
Foto: Laura Hasani

Presidentja fton liderët e partive për konsultime rreth datës së zgjedhjeve, LDK-ja konfirmon pjesëmarrjen

Aktuale July 26, 2024 - 21:41

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka ftuar zyrtarisht liderët e partive politike që t’i takojë më 31 korrik në konsultime për caktimin e datës së zgjedhjeve parlamentare. Pjesëmarrjen në takim e ka konfirmuar lideri i LDK-së, i cili në atë takim do të shpalos qëndrimin e partisë së tij.

Burime të telegrafit nga Presidenca bëjnë të ditur se në letrën dërguar liderëve të partive, Osmani ka deklaruar se bazuar në Kushtetutë dhe Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, zgjedhjet duhet të mbahen përgjatë periudhës 26 janar- 16 shkurt 2025.

Në këtë drejtim, bazuar në kompetencat kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, Presidentja ka ftuar në takim konsultativ më 31 korrik 2024, në orën 14:00,në Ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Telegrafi ndërkohë ka kërkuar nga partitë politike të konfirmojnë nëse kanë marr letrën nga presidentja për takimin e 31 korrikut.

Zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa, ka konfirmuar se kanë marr letrën nga Presidentja dhe se kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku do të shkojë në takim dhe aty do ta shpalos qëndrimin e partisë.

Zgjedhjet e fundit nacionale janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kur Lëvizja Vetëvendosje doli e para me më shumë se 50 për qind të votave. Partia e dytë ishte PDK, e treta LDK, kurse e katërta AAK. /telegrafi