Konjufca në familjen e heroit Enver Zymeri: Rënia e policëve në krye të detyrës tregon shembullin për ta mbrojtur atdheun
Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, ministrja e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla e ministri i Punëve të Brendshme kanë vizituar familjen e heroit kombëtar Enver Zymeri në 13-vjetorin e rënies së tij.
Nga aty, kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se rënia e policëve në krye të detyrës tregon shembullin për ta mbrojtur atdheun kur rrezikohet e sulmohet.
“Po, siç e dini, sot jemi në përvjetorin e rënies së heroit Enver Zymeri. Është caktuar edhe dita e rënies së policëve për t’i përkujtuar ata. Ishim edhe në familjen e Afrimit e tash te familja e Enverit dhe shprehëm rëndësinë që e ka kjo datë e cila përkujton të gjithë policët e rënë në detyrë, por të gjithë atyre u prinë Afrim Bunjaku e Enver Zymeri, që janë heronjtë tanë e të cilët ranë në krye të detyrës për ta mbrojtur atdheun tonë, për ta mbrojtur atë nga Serbia, për ta mbrojtur kur u sulmua nga Serbia në të dy rastet dhe ky është shembulli më i vlefshëm e të cilin duhet ta kujtojmë, sepse është shembulli që kur atdheu rrezikohet e sulmohet, nuk duhet të kursejmë asgjë nga vetvetja. Kështu bën Afrimi dhe Enveri, sepse dhanë më të shtrenjtën e tyre, sepse nuk u frikësuan ta japin jetën”, u shpreh Konjufca.