Serbia kërkon nga Bosnja ta ekstradojë të dyshuarin për ndihmën që dyshohet se ia ofroi Faton Hajrizit natën kritike
Ministria e Drejtësisë e Serbisë ia dërgoi një kërkesë gjyqësorit të Bosnjë dhe Hercegovinës (BeH) për ekstradimin e Z.R. si i dyshuar për organizimin e transportit të Faton Hajrizit, i cili vrau një polic dhe plagosi një tjetër në Lloznicë natën e 17-18 korrikut.
Dyshohet se Z.R., i cili u arrestua më 18 korrik në Bijeljina të Bosnjë dhe Hercegovinës dhe gruaja e tij I.R., e cila u arrestua në Mlladenoc afër Beogradit, organizuan transportin për Hajrizinë nga Presheva në jug të Serbisë për në Lloznicë, ku i qëlloi policët.
Mediat e Beogradit raportojnë se urdhërarresti i Serbisë për Z.R. është në fuqi edhe për vuajtjen e dënimit me tetë vjet burg që ai ishte dënuar për trafik droge.
Përveç çiftit të martuar, është arrestuar edhe një burrë nga Tutini i Serbisë, i cili atë natë e ka çuar Hajrizin nga Presheva në Lloznicë.
Më 19 korrik, policia në Serbi vrau Faton Hajrizin në afërsi të kufirit me Bosnjë dhe Hercegovinën, pasi thuhet se ai vrau një dhe plagosi një polic tjetër.
Sulmi ka ndodhur kur policët gjatë një kontrolli rutinë kanë ndaluar veturën në të cilën ndodhej i dyshuari. Teksa ka dalë nga vetura ka qëlluar me pistoletë policët, e më pas ka ikur, shkruan Radio Evropa e Lirë.
Kur policia e gjeti atë pas një kërkimi dyditor, ai qëlloi në pjesëtarët e policisë, pas së cilës ai u likuidua, tha ministri i Brendshëm Ivica Daçiq më 19 korrik.
Më 6 korrik, Hajrizi ishte arratisur nga IEVP në Smrekonicë të Kosovës.