Krasniqi i PSD-së për Njësinë Speciale në veri: Bën terror, ndal vetura me gra dhe fëmijë dhe i terrorizon
Frashër Krasniqi nga PSD-ja ka kritikuar qasjen e Qeverisë ndaj serbëve në veri, ndërsa duke u bazuar vetëm në raportime të mediave, pa asnjë fakt tjetër, ka thënë se Njësia Speciale e Policisë së Kosovës terrorizon serbët e veriut.
Sipas Krasniqit, Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti nuk e ka në interes të zgjidhë problemin me Serbinë, pasi i duhet një armik i përhershëm për t’u mobilizuar sa herë që i duhet për situata.
Ai ka habitur kur mbrëmë në Klan Kosova ka përmendur që, sipas tij, mediat raportojnë çdo ditë se si Njësia Speciale e Policisë së Kosovës çdo ditë kryen kontrolle me armë të gjata, e sipas tij terrorizon banorët serbë në veri, transmeton Zeri.info.
“Qeveria ‘Kurti’ nuk e ka interes me zgjidh problemin me Serbinë, normalisht një zgjidhje e konfliktit të përhershëm me Serbinë, një marrëveshje e paqes mes Kosovës dhe Serbisë nuk i hy në qef fort as Albin Kurtit as Aleksandar Vuçiqit, sepse nga mendësia kët kanë qef me pas një armik gjithmonë, sepse e dinë që kjo mobilizon, kur e ke një konflikt të ngrirë ti gjithmonë mundesh me bo kësi lloj filma”.
“Përveç filmave për neve këndej urës janë filma, për serbët që jetojnë andej urës janë terror. Në veri të vendit ka kontroll të Policisë me armë të gjata çdo ditë, ka pasur raportime që Njësia e Speciale e Policisë së Kosovës me armë të gjata ndalin vetura ku ka gra e fëmijë dhe i terrorizojnë gjatë gjithë kohës. Ky është fakt”, tha Krasniqi. /Zëri