Sveçla: Heroi Enver Zymeri u kthye në shembullin dhe motivin e qindra vajzave dhe djemve
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka përkujtuar policin e vrarë në detyrë, Enver Zymeri, për të cilin ka thënë se u kthye në shembullin dhe motivin e qindra vajzave e djemve të Republikës sonë.
“13 vjet më parë, gjatë një operacioni policor në veri të vendit, në fshatin Zubç të Zubin Potokut, nga një grup i armatosur kriminal i Serbisë, u vra pjesëtari i Policisë së Kosovës, heroi Enver Zymeri. Me shërbimin e tij me vullnet e përkushtim deri në sakrificë sublime, heroi Enver Zymeri përjetësoi betimin e pjesëtarit të Policisë së Kosovës. Ai u kthye në shembullin dhe motivin e qindra vajzave e djemve të Republikës sonë që edhe sot, 13 vjet pas rënies së tij, shërbejnë në çdo cep të Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla në Facebook.
Në nderim të sakrificës sublime të hero Enver Zymerit, prej tre vjetësh 26 korrikun e shënojmë si Ditën Memoriale të policëve të rënë në kryerje të detyrës.
Listës së të rënëve dhe shokëve të tij të lavdisë këtë vit Sveçla ka thënë se i është shtuar edhe heroi Afrim Bunjaku, i vrarë në sulmin terrorist të Serbisë në Banjskë më 24 shtator.
“Sot dhe çdo ditë u jam mirënjohës djemve e vajzave tona që bartin me nder e krenari uniformën e Policisë së Kosovës dhe shërbejnë e mbrojnë Republikën tonë, duke realizuar kështu aspiratat e 23 pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të rënë në kryerje të detyrës”, ka shkruar mes të tjerash ai.
Këtë të premte, në përkujtim të Ditës Memoriale të policëve të rënë në detyrë dhe 13-vjetorit të rënies së heroit Enver Zymeri, do të organizohen homazhe dhe një garë profesionale të kërcimit në liqenin e Ujmanit në nderim të sakrificës së tyre.