Sa punohet për riintegrimin e të burgosurve në shoqërinë kosovare?
Pas arratisjes së Faton Hajrizit, i cili u vra nga autoritetet në Serbi, ku ai ishte bërë i dyshuar për vrasjen e një oficeri policor serb, në Kosovë u ngrit çështja nëse institucionet po bëjnë mjaftueshëm për rehabilitimin e të burgosurve. Shërbimi Korrektues i Kosovës ofron disa programe, të cilat synojnë t’i risocializojnë dhe t’i riintegrojnë të burgosurit në shoqëri. Por, organizatat që monitorojnë burgjet i vlerësojnë ato si të mangëta.
Qëllimi i një dënimi me burgim konsiderohet risocializimi dhe riintegrimi i një personi të burgosur në shoqëri.
Por, nga organizatat joqeveritare thonë për Radion Evropa e Lirë se në institucionet korrektuese në Kosovë ka mungesë të programeve adekuate për të arritur këtë qëllim. Sipas tyre, programet zakonisht janë grupore dhe të njëjta për të gjitha institucionet.
Që programet rehabilituese të jenë të suksesshme “duhet të vlerësohen nevojat individuale të secilit të burgosur, sepse secili ka karakteristika të veçanta dhe nevoja të veçanta për t’u rehabilituar dhe për t’u risocializuar”, vlerëson Fatmire Haliti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), e cila monitoron punën e Shërbimit Korrektues të Kosovës (SHKK).
Një tjetër sfidë, sipas Halitit, por edhe sipas ish-drejtorit të SHKK-së, Sokol Zogaj, është edhe buxheti. Raporti vjetor për 2023-tën i SHKK-së tregon se ai kishte një buxhet prej 20.7 milionë eurosh. Këtë vit, SHKK-ja parashihet të ketë 8 milionë euro më shumë, kryesisht për investime kapitale.
“Që të burgosurit të përmirësohen dhe të riintegrohen, duhet që shteti të paguajë, të ketë buxhet të madh, në mënyrë që t’ua sigurojë kushtet”, thotë Zogaj për Radion Evropa e Lirë.
Ndërkaq, Haliti thotë se, përveç mungesës së buxhetit, ka edhe mungesë të kuadrove të specializuara për programet individuale për risocializim dhe riintegrim.
Sfida e kategorizimit të të burgosurve
Shqetësues, po ashtu, vlerësohet edhe kategorizimi i të burgosurve, por Zogaj thotë se për të vendosin gjykatat.
Avokati i Popullit ka thënë se sa i përket kategorizimit, ka pasur përparim në institucionet e reja, por kjo sfidë mbetet në institucionet që janë në objekte të vjetra dhe nuk kanë hapësirë të mjaftueshme.
Edhe QKRMT-ja ka adresuar çështjen e kategorizimit, duke marrë si shembull personat me çrregullime mendore, të cilët ka thënë se janë të shpërndarë në të gjitha institucionet, njësoj sikurse përdoruesit e substancave narkotike.
“Në mungesë të kategorizimit, apo ndarjes së mirëfilltë të tyre, mungon edhe risocializimi apo rehabilitimi i tyre”, thotë Haliti.
Ajo shton se, për dallim nga e kaluara, tani ka më pak raste kur në një qeli vendosen persona që kanë dënime më të gjata me ata me dënime më të shkurtra.
Kompensimi “dekurajues” për punë
Kosova ka disa qendra korrektuese dhe edukuese, si Qendrën edukuese korrektuese në Lipjan, Burgun e sigurisë së lartë, Qendrën korrektuese për femra dhe të mitur në Lipjan, Qendrën korrektuese në Dubravë, Qendrën korrektuese në Smrekonicë, dhe qendrat e paraburgimit në Gjilan, Mitrovicë, Lipjan, Prizren dhe Pejë.
Në burgje – që janë të llojeve të ndryshme, sikurse të tipit të hapur, gjysmë të hapur dhe të mbyllur – ka edhe punishte, ku të burgosurit me sjellje të mirë lejohen të punojnë.
Në raportin e tij vjetor për 2023-tën, Avokati i Popullit ka kërkuar përmirësim të kushteve të punës për të burgosurit dhe rritjen e pagesës për ta. Aktualisht, çdo i burgosur që punon paguhet 1 euro në ditë.
Këtë kompensim, Haliti e konsideron “dekurajues” për punën e të burgosurve brenda burgjeve. Megjithatë, ajo thotë se ka interesim mes tyre për të punuar.
Vitin e kaluar, histori suksesi, sipas QKRMT-së, u konsiderua Smrekonica, ku të burgosurve që patën sjellje të mirë dhe nuk patën ndonjë incident iu mundësua puna jashtë burgut.
Të burgosurit angazhohen në fusha të ndryshme, sikurse në bujqësi e blegtori, në prodhimin e letrave të tualetit e të qeseve plastike, por trajnohen edhe në floktari e rrobaqepësi.
Cilësia e shkollimit
Me qëllim të integrimit më të mirë në shoqëri, institucionet korrektuese në Kosovë ofrojnë edhe shkollim. Ndonëse të burgosurit në moshë madhore duhet të plotësojnë disa kritere për t’iu mundësuar shkollimi, të miturve u sigurohet shkollim i vazhdueshëm.
Ndonëse QKRMT-ja vë në pah se cilësia në shkollimin e të miturve nuk është ashtu siç do të duhej të ishte, për shkak të mungesës së mësimdhënësve dhe për shkak të klasave të kombinuara, Zogaj, megjithatë, thotë se qendra për të mitur në Lipjan është më e mirë se ato në Ballkan.
Pavarësisht se institucionet korrektuese ofrojnë trajnime dhe punë për të burgosurit, kur ata dalin nga burgu nuk kanë një vend pune, por as nuk monitorohen – përveç atyre që lirohen me kusht.
Përcjellja e përparimit
QKRMT-ja ka kërkuar që institucionet të hartojnë një strategji, e cila, përveç shërbimit korrektues, do të përfshinte edhe përcjelljen e përparimit të risocializimit dhe të rintegrimit të tyre në shoqëri. Sipas Halitit, “ata, nëse lirohen nga burgu dhe nuk gjejnë një vend pune, një trajnim apo diçka tjetër, mund t’i përsërisin veprat penale”.
Gjendja e burgjeve në Kosovë është përmendur edhe në raportin e fundit për të drejtat e njeriut të Departamentit amerikan të Shtetit, ku thuhet se burgjet dhe qendrat e ndalimit në Kosovë plotësojnë “disa standarde ndërkombëtare”.
Megjithatë, sipas DASH-it, qendrat e paraburgimit “vazhdojnë të kenë probleme, përfshirë raportimet për dhunë mes të burgosurve, ekspozim ndaj radikalizmit fetar dhe qëndrimeve politike dhe trajtimit jo të duhur të të burgosurve me probleme mendore”.