Jeton Musliu i RTK-së: E redaktova lajmin pas presionit të vazhdueshëm për ta transmetuar
Foto: Laura Hasani

Jeton Musliu i RTK-së: E redaktova lajmin pas presionit të vazhdueshëm për ta transmetuar

Aktuale July 25, 2024 - 19:48

Jeton Musliu ishte redaktor i lajmeve qendrore në RTK, në natën kur aty u publikua lajmi skandaloz se Nacionale dhe Periskopi financohen nga Serbia.

Sot, ai ka dalur me një reagim të gjatë. Ka dhënë krejt sqarimet e tij se nga kush ka ardhur presioni për publikimin e këtij lajmi, me të cilin u goditën Nacionale dhe Periskopi.

Musliu thotë se presioni nga Rilind Gërvalla, drejtor i TV, dhe Leonora Bërbatovci, ka qenë i jashtëzakonshëm. Andaj, ai distancohet nga ky lajm dhe krejt kjo situatë.

Si dëshmi, Musliu ka publikuar edhe E-mailet.

“Jo kolegë të RTK-së, por edhe mediave të tjera. Unë kam adresë. Distancohem nga veprimet, presioni i vazhdueshëm dhe gatishmëria e drejtorit aktual të TV-së, z. Rilind Gërvalla si dhe U.d Kryeredaktores Leonora Bërbatovci, për të ndërhyrë në edicionin e Lajmeve Qendrore të RTK-së. Derisa e dyta edhe ka njëfarë të drejte për shkak të pozitës që mban, i pari nuk e ka asnjë të drejtë. Por që do, i pari presion tek e dyta dhe kjo tek i treti, në këtë rast redaktori i Lajmeve Qendrore.Më shpesh, hiq pa përfillur të dytën. Kur them presion, nuk bëhet vetëm me bërtima!”, ka shkruar Musliu.

Reagimi i plotë i Musliut, pa ndërhyrje:

Deklaratë/Sqarim

Para një viti, e pata urryer Mark Zuckerberg-un, për krijimin e FB sepse më shumë më merrte kohë me këtë platformë, sesa merresha me familjen time. Prandaj edhe e pata mbyllë këtë llogari.

Kështu, mezi u pata mësuar pa të. E dija që do ta rihapja një ditë, sepse më thoshin se është si cigarja. Por që ta bëja për të dhënë sqarime publike , për një gjë që do të duhej të mbaronte brenda vendit aktual tim të punës, pasi e gjitha është e qartë, për menaxhmentin e për Bordin, këtë nuk e kam besuar.

Nejse, në vazhdën e distancimeve të kolegëve të mi, edhe pse nuk e di se nga kush janë distancuar sepse sa kam parë, përveç që kanë rrëfyer histori personale e kanë treguar për kontributet e tyre në punë, për çka nuk e bëjnë falas, nuk pashë ndonjë adresë.

Po të distancoheshin qoftë edhe nga unë me emër, do t’i vlerësoja edhe më shumë.

Jo kolegë të RTK-së, por edhe mediave të tjera. Unë kam adresë. Distancohem nga veprimet, presioni i vazhdueshëm dhe gatishmëria e drejtorit aktual të TV-së, z. Rilind Gërvalla si dhe U.d Kryeredaktores Leonora Bërbatovci, për të ndërhyrë në edicionin e Lajmeve Qendrore të RTK-së.

Derisa e dyta edhe ka njëfarë të drejte për shkak të pozitës që mban, i pari nuk e ka asnjë të drejtë. Por që do, i pari presion tek e dyta dhe kjo tek i treti, në këtë rast redaktori i Lajmeve Qendrore.Më shpesh, hiç pa përfillur të dytën.

Kur them presion, nuk bëhet vetëm me bërtima!

Jam munduar në këto katër ditë, të duroj e të mos flas. Të respektoj mediumin ku këtë muaj, me ndërprerje të shkurtra, mbush dhjetë vjet punë.

Më parë, si gazetar i padijshëm, siç më ka cilësuar Berat Buzhala (edhe disa fyerje të tjera linçuese që AGK-së me siguri i kanë ikë), kam punuar për tetë vjet bashkë me të.

Tash kur e kujtoj, s’e kuptoj përse më ka mbajt në punë! Apo mos kam ndryshuar unë rrugës! Ku i dihet, njeriu i ndryshon bindjet, partitë, mediumet e lere më interesat. Por jo! Po te ndryshoja, do te dergoja linqe apo te mos refuzoja poste, por kam shkuar deri ne lutje, qe nuk dua te jem ne pozite.

Kam punuar edhe me BIRN-in. Edhe me gazetarë ndërkombëtarë. Kështu, i padijshëm, butak... Edhe pse si butak, jam vlerësuar me çmime vendore e ndërkombëtare,bile në kohën kur punoja në Express me Buzhalën. Por s’ka lidhje! Prapë, ndjesë edhe atij po aq edhe Ilir Mirenës dhe kolegëve të të dy mediumeve. Por janë disa gjëra që duhen thënë. Gjyqi publik, pa ditur situatën brenda, dhëmb shumë. Për më shumë, kur e di se çfarë thuhen e shkruhen për ty, s’kanë lidhje me realitetin.

Berati, ka gazetar që më parë kanë punuar në RTK. Mund t’i pyeste për funksionimin apo keqfunksionimin editorial. Edhe Iliri e ka një redaktor që si gazetar nga RTK-ja, pati dalë me shumë zhurmë për shkak , sipas tij, të presioneve. Atëherë ishin parti të tjera në pushtet. Tani është një tjetër. Ajo që dua të them është se presionet e partive mbi RTK, vetëm ndryshojnë ngjyrë, por jo në përmbajtje. Nejse, edhe ashtu të dytë i dinë edhe pa e pyetur askënd.

Të dal në thelb. Lajmi i publikuar të hënën në TV e ku redaktor isha unë, nuk e di pse, por në njëfarë mënyre disi bizare, më vjen mirë që doli. Pavarësisht insistimit tim që kjo të mos ndodhë, por kur presioni bëhet i vazhdueshëm mbi ty si redaktor, vjen çasti që përpiqesh që lajmi i deleguar të jetë më dëm sa më të vogël. Nuk ke nga ia mban. Të tjerë ndoshta edhe kanë. Unë nuk rri me asnjë pushtetar apo ish pushtetar. Bile kafen e mëngjesit e pi shpesh me pastrueset të cilat i cmoj shumë më shumë, sesa moralistët që të vetmen punë e kanë me heq e me ngjit bishta. Sigurisht, në pritje të ndrrimit të pushteteve, sepse pastaj duhet vazhduar njësoj si ata që ikin. Pra është cikël!

Kështu ndodhi edhe të hënën. Lajmi që do të duhej të ishte kronikë disa minutëshe me citime e parafrazime, munda (edhe U.d Kryeredaktorja Berbatovci tha se lajmi pa emra beson se mund te dale v.j), që të dilte vetëm me katër fjali. Pa përmendur emrat e mediumeve në Kosovë (flas për TV . Për pjesën e webit, s’kam lidhje). Lajmi i deleguar nga linku i RTKlive, është në Youtube. Mund ta vërtetoni.

E di që interpretimet tani janë përse nuk e hoqe emrin, përse nuk rezistove, e shumë përse të tjera. Po patët durim të lexoni korrespondencën zyrtare timen me menaxhment dhe rastet e përplasjeve, apo përpjekjen time të asaj dite që të verifikosh brenda pak kohe e në fund pak para lajmeve të të dërgohet lajmi për transmetim, nuk besoj se ke as fuqi fizike dhe as mendore të rezonësh si duhet.

presion kohe kur duhej bërë përgatitjet e fundit për fillim të edicionit të lajmeve dhe në njërën anë të verifikosh atë medium e të gjesh, se nga ai kanë marrë lajme edhe Gazeta Express, Gazeta Blic, edhe Al Jazeera, e të arrish që të mundohesh të menaxhosh, duke e bërë lajmin DISI të transmetueshëm, besoj se nëse jo për ta kuptuar në tërësi, të paktën të mundohen, të gjithë ata që e njohin punën në TV.

Nuk dua të shfajësohem. Thjesht po tregoj situatën. Tani, ndodhi. Jam i gatshëm të bart përgjegjësinë, sido që të jetë ajo. Por jo pa u shoshitur të gjitha. Menaxhmenti e ka të qartë. Bordi gjithashtu e ka të qartë. Në mbledhje të menaxhmentit, z. Gërvalla e pranoi përgjegjësinë. Edhe në Bord, gjithashtu.

Nuk e kuptoj përse duhet rënë nga Kina për të marrë vesh situatën.

Edhe pse jam në pushim vjetor, të planifikuar më herët, dua të them dy fjalë për parimet mbi të cilat të gjithë thirremi. Ato dreq, ose i ke ose nuk i ke sepse s’besoj se janë llokume që t’i hash, varësisht se cila parti është në pushtet.

Më poshtë gjeni e-mailat zyrtar të komunikimit tim. Kam pritur që Komisioni të formohet brenda ditës për të shoshitur këtë cështje. Meqë nuk ka ndodhur, duke marrë aprovim paraprak nga U.d e drejtores së Përgjithshme të RTK-së, në shenjë respekti për institucionin ku ende punoj, dua të nënvizoj se përveç përmbajtjes së tekstit, nuk lejoj që në portale të ripubilikohet asnjë fotografi e imja e paautorizuar, që mund të merret në FB, Google apo rrjetet tjera sociale. Përndryshe, do të kontaktohet secili medium nga avokati im, Arlind Fetahu, për procedura të mëtejshme ligjore.

Faleminderit!

Jetoni

P.S Çfarëdo fyerje, linçimi dhe kërcënimi do ta adresoj menjëherë në organet përkatëse të sigurisë. Gjithashtu ndjese koleges Rabisha Muhaxhiri per permendjen ne keto rrethana te emrit te saj.

------------------------------------------------

E hënë/22.07.2024

Te nderuar,

Kerkoj qe te na informoni lidhur me nje shkrim qe eshte publikuar ne mediat online dhe ne lajmet qendrore, i perkthyer ne gjuhen shqipe nga nje gazete e Bosnje Hercegovines.

https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=671626

Si eshte vleresuar ky shkrim per tu publikuar, a ka pasur ndonje verifikim te fakteve dhe pretendimeve, a jane kontaktu mediumet qe jane permendur aty.

Kerkoj nje raport nga ju deri jeser ne ora 10:00 .

Me respekt,

Zana Spahiu

U.D Drejtoreshë e Përgjithshme e RTK-së

------------------------------------------------------------------------

E hene/ marte/22-23.07.2024(ora 01:00 pas mesnate)

E nderuara znj. Spahiu,

Meqe redaktor i Edicionit Qendror te Lajmeve te dates 22.07.2024, isha une, e ndjej pergjegjesine qe t’ju kthej pergjigje, ndoshta i pari.

Prandaj, ju lutem, pranoni ne menyre kronologjike, sqarimin e kerkuar.

Rreth ores 13:00, kam shkuar ta konsultoj ne zyren e saj, U.d Kryeredaktoren Leonora Berbatovci, mbi mundesite teknike per nje lidhje Live ne Edicionin Qendror te Lajmeve nga koncerti i Rame Lahajt. Meqe behej fjale per nje koncert te sponsorizuar mediatikisht nga RTK, znj. Berbatovci shkoi ne zyren e Drejtorit te TV, z. Rilind Gervalla, per konsultime. Derisa e prisja ne zyre, pas pak minutash, znj. Berbatovci me ftoi edhe mua ne zyren e z. Gervalla. Ne pranine edhe te znj. Berbatovci, drejtori Gervalla me tha se duhet realizuar nje kronike mbi raportimin e RTKLive per takimin e Radoiciqit me Vuciqin. Gjithashtu, tha se edhe Radio ‘Slobodna Evropa’ ka publikuar nje artikull e te cilin bashke me kete artikullin autorial nga RTKlive, te behet nje kombinim. Ai tha se “Slobodna Evropa”, vazhdimisht edhe duke e perditesuar lajmin. Z. Gervalla dhe znj. Berbatovci u thash qe meqe behet fjale per artikull te publikuar se pari nga RTKlive si medium yni dhe Radio ‘Slobodna Evropa’ (Radio Evropa e Lire), do ta shikoj se cfare mund te bej. U kthva ne redaksi dhe nisa te kerkoj artikullin e radios “Slobodna Ervopa”. Ne oren 13:19 minuta, drejtori Gervalla me dergoi dy linqe. I pari i artikullit nga RTKLive dhe i dyti nga ‘Slobodna Bosna’. Aty e kuptova se kot kisha kerkuar artikullin ne ‘Slobodna Evropa’ meqe behej fjale per medium nga Sarajeva dhe jo Radio “Evropa e Lire” ne gjuhen serbe. Ne oren 13:34 minuta, linkun e artikullit autorial te publikuar nga RTKlive ma dergoi edhe U. d kryeredaktorja Berbatovci.

Meqe gjuhen serbe/boshbjake nuk e njoh, kerkova ndihme per perkthim nga kolegia Rabisha Muhaxhiri, Redaktore Pergjegjese e Redaksise se Minoriteteve. Bashke kemi diskutuar mbi gjysme ore nese perkthimi i saj ishte i sakte sepse personalisht ishte e pabesueshme ate qe lexoja. Parafrazoj:-“Thuhej se portali Periskopi kontrollohet direkt nga Milan Radoiciq e portali Nacionale ka pranuar transaksione financiare per te shkruar artikuj kunder qeverise Kurti”.

Bashke me znj. Muhaxhiri kemi kerkuar ne internet nese behet fjale per ndonje medium serb apo boshnjak me emrin Periskopi. Meqe nuk gjetem dhe ajo me siguroi se perkthimi eshte i sakte, te njejtin tekst te perkthyer, bashke me versionin ne origjinal, ne oren 15:54 minuta, ia dergova U. D kryeredaktores Berbatovci. Me pas edhe vet shkova ne zyren e saj, dhe i thash se kjo eshte absurde. Nuk kishte fakte as deshmi per keto pretendime te nje portali boshnjak dhe se prapa mund te fshihet diçka tjeter. Për më tepër, artikulli i RTKlive dhe ai boshnjak, nuk kishin lidhje njëri me tjetrin.

Pasi Znj. Berbatovci e lexoi perkthimin per te cilin e njoftova se eshte bere nga kolegia Muhaxheri, per pjesen qe ka te bëjë me mediat ne Kosove, edhe ajo aty e kuptoi se nuk behet fjale per ‘Slobodna Evropa’, por ‘Slobodna Bosna’. Me dakordimin e saj, u pajtuam qe te realizohet per lajme vetem kronika nga artikulli autorial i publikuar ne RTKlive mbi takimin qe Vuçiq ka pasur fshehurazi me Radoiciq. Ne oren 18:29 minuta, U. d e kryeredaktores, znj. Berbatovci me dergoi linkun e RTKlive me artikullin e perkthyer ne teresi (nuk e di nga kush), nga ‘Slobodna Bosna’, duke me thënë se këtë mund ta bëj si lajm ngase nuk janë përmendur emrat (emrat e mediumeve v.j) për pjesen e Kosovës.

Duke respektuar hierarkine redaksionale, lajmi në formën më të shkurtër të mundshme, është transmetuar, duke mos përmendur emrin e asnjë mediumi në Kosovë.

Ndjesë për shpjegimin ndoshta më të hollësishëm sesa që është e nevojshme, por kjo për të sqaruar në tërësi të gjithë procedurën e ndjekur.

Jam në dispozicionin tuaj për çfarëdo paqartësie eventuale.

Faleminderit!

Jeton Musliu- Redaktor i Lajmeve

----------------------------------------------------------

E enjte/25.07.2024 (Ora 16:14)

Për U.d e drejtores së Përgjithshme të RTK-së,

E nderuar znj Spahiu,

Më lejoni fillimisht të shpreh keqardhjen time të thellë, që sapo morët detyrën, jeni duke u përballë me një situatë të tillë, ndonëse për mua është thjesht vazhdim i të mëparshmeve. Megjithatë, të gjitha jam munduar t’i lë vetëm brenda RTK-së me besimin dhe shpresën se pas njerës, nuk do të përsëitet tjetra. Sidoqoftë, tani për mua është mjaft!

Ju lutem me lejoni të shpreh shqetësimin e tim deri në alarm, për krejt këtë situatë, duke ju parashtruar në fund edhe dy kërkesa.

Siç jeni në dijeni të raportimeve të medieve mbi situatën e fundit në RTK, pas publikimit fillimisht në RTKlive të lajmit nga Slobodna Bosna, e më pas dërgimin e linkut tek unë nga drejtori z. Gërvalla dhe nga U.d kryeredaktorja, znj. Berbatovci, për transmetim në lajmet qendrore në TV,

-Pas kërkesës suaj për sqarim, dhe ashtu siç ju kam njoftuar me shkrim, ju dhe tërë menaxhmentin e RTK-së, atë mbrëmje (22.07.2024, një orë pas mesnate), tërë rrjedhën e procesit, deri tek publikimi i lajmit në TV,

-Sic jeni ju, menaxhmenti, por edhe Bordi të njoftuar mbi konfirmimin e korrektësisë së përmbajtjes të sqarimit tim, edhe nga drejtori, z. Gërvalla por edhe U.d Kryeredaktorja Berbatovci,

-Ashtu siç e kam shpjeguar edhe në mbledhjen e Bordit të njëjtën rrjedhë të procesit, në prani të të gjithëve,

-Duke qenë të gjithë dëshmitarë në këto mbledhje edhe në menaxhment edhe në Bord se drejtori, z. Gërvalla e konfirmon se nga ai është iniciuar publikimi,

-Duke qenë se në emailin e datës 22.07.2024, ua kam shpjeguar në hollësi mosmiratimin tim për publikim të atij lajmi,për shkak të përmbajtjes absurde, e gjithashtu,

-Duke qenë se ky rast, është vazhdimësi e të tjerave paraprake të ndërhyrjeve nga drejtori i TV-së, z. Gërvalla, me të cilin kam pasur përplasje dhe mospajtime deri në nivelin e moskomunikimit, për shkak të bindjeve të mija profesionale me të, për disa raste kur unë kam qenë redaktor i edicioneve informative,

-Rasti për lajmin e tentim atentatit ndaj kryeministrit Kurti në Shkup, ku pas presonit tim të vazhdueshëm për konfirmim dhe kërcënimeve deri në reagim publik, është bërë i mundur disi konfirmimi i lajmit nga njëri nga anëtarëve të Komisonit Parlemantar për AKI-në,

-Lajmi për videon e Radoiciqit ku shihet duke i dhënë një shuplakë një personi, e ku s’ka as përgjigjet në pyetjet bazë, për të cilin jam cilësuar nga z. Gërvalla si jo patriot,

-Për videon për lajmin për kritikën që kryetari i PDK-së, ka pasur në trevjetorin e Qeverisë të publikuar në Facebook, për të cilin kam marrë edhe vërejtje me shkrim nga U.d Kryeredaktorja Berbatovci, përse e kam publikuar, apo përse nuk e kam hequr z. Gërvalla nga video e publikuar nga PDK, apo përse nuk i kam kontaktuar të gjitha ata persona që shihen në video, ndonëse publikime të tilla bëhen vazhdimisht,

-Duke qenë se për disa nga këto raste ka qenë i informuar edhe ish drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj, me të cilin kam pasur gjithashtu përplasje e mospajtime profesionale,

-Duke qenë i vetëdijshëm se pavarësisht të gjithave, duke mos e bartur këtë presion tek stafi, por duke u munduar të krijoj atmosferë kolegjiale, jam munduar të jap më të mirën për edicione lajmesh sa më profesionale, ndonëse atmosfera pas përplasjeve të tilla ishte shumë e rëndë për mua,

-E mbi të gjitha, duke parë denigrimin tim personal e njerëzor nga, kolegët, mediat dhe publiku, i cili nuk është në dijeni të plotë me tërë procesin, presionin por edhe ndërhyrjet e vazhdueshme, në këtë rast por edhe me rastet e tjera,

-Derisa e shoh në komunikim të brendshëm në grup në viber, por edhe në media, diskutimet e kolegëve të mi si znj. Kosumi me z. Gërvalla, e ku tashmë jam i bindur se e gjitha paska qenë e organizuar,dhe unë jam shënjestër më e lehtë për shkak të pozitës që kam,

Prandaj, edhe pse jam në pushim vjetor të planifikuar para se të ndodhte publikimi i këtij lajmi i cili sic jeni njoftuar në e-mailin paraprak, e që e keni ju dhe i gjithë menaxhmenti, ka pasur mundësi të dalë edhe më i rëndë,

Si dhe duke mos pasur asnjë informacion nëse Komisioni hetimor i kërkuar na Bordi është krijuar apo çfarë po ndodhë, kur tashmë mbaroi dita e dytë nga mbledhja dhe vendimi i Bordit,

Ju parashtroj dy kërkesa:

1-Kërkoj largimin tim te menjehershem nga detyra e redaktorit të lajmeve qendrore në RTK dhe risistemimin tim.

2-Lejimin nga ana juaj të publikimit të sqarimit tim për media ngase situata është tërësisht e padurueshme dhe e papranushme per mua,

Duke shpresuar në mirëkuptimin tuaj, ju njoftoj se në këtë e-mail janë CC edhe të gjithë drejtuesit nga menaxhmenti në RTK.

Faleminderit!

Jetoni

---------------------------------------------

E enjte 25.07.2024 (ora 16:35)

I nderuar z. Musliu,

Me lejoni fillimisht te iu them qe publikimin e sqarimit per lajmin mund te beni dhe kjo eshte e drejte e juaja absolute.

Risistemimin eshte mire ta rikonsideroni, mirepo nese kjo eshte kerkese e juaja e respektoj.

Komisioni ad hoc veçse eshte formuar dhe meqe jam jasht qytetit, ne momentin qe do kthehem do ta nenshkruaj vendimin.

Me respekt,

Zana Spahiu

U.D Drejtoreshë e Përgjithshme e RTK-së