Sveçla i kundërpërgjigjet ish-kryeinspektorit të AKI-së, mohon se është sulmuar me “AK-47” në Ujman

Sveçla i kundërpërgjigjet ish-kryeinspektorit të AKI-së, mohon se është sulmuar me “AK-47” në Ujman

Aktuale July 25, 2024 - 15:28

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kryeinspektorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Burim Ramadani, të bëra në një intervistë televizive në “T7”.

Ramadani pretendoi se Sveçla ishte gjuajtur me armë gjatë një qëndrimi të tij në Ujman në fillim të korrikut.

Sipas Ramadanit, incidenti ndodhi ndërsa Sveçla ishte në një barkë së bashku me disa policë. Ramadani deklaroi se ministri ishte sulmuar me armë zjarri, duke përmendur specifikisht armën “AK-47”.

Këto pretendime janë hedhur poshtë nga ministri Sveçla, i cili i ka cilësuar si të pavërteta dhe fabrikime.

“Dje në një paraqitje televizive, ish kryeinspektori i AKI-së Burim Ramadani paska deklaruar diçka që aspak nuk është e vërtetë. Unë asnjëherë nuk jam sulmuar në Liqenin e Ujmanit, as me Ak 47 e as me asnjë metodë apo mjet tjetër. E gjitha është fabrikim i tij, arsyet nuk i di. Unë kam qenë në Ujman me barkë të shtunën së bashku me kryeshefin e ‘Ibër Lepencit’ dhe shefin e NJNSH-së së kufirit, vizitë e cila jo vetëm se ka shkuar shumë mirë, por ka qenë edhe shumë produktive”, shkroi Sveçla në Facebook.

Sveçla ka theksuar se zakonisht nuk do të reagonte ndaj pretendimeve të tilla, megjithatë, ai vendosi të përgjigjet për shkak të pozicionit të lartë që mbante Ramadani.

“Unë as nuk do të reagoja ndaj kësaj gënjeshtre, siç nuk reagoj ndaj shumë të tjerave, po të mos njihej fakti se ky person ka mbajtur një pozitë ku integriteti do të duhej të ishte një ndër cilësitë kryesore.

Sulmet edhe mund të ndodhin, por ato as nuk na frikësojnë as nuk na zmbrapsin. Unë veç lutem që nëse kjo të ndodhë, mos të pësojnë njerëzit përreth meje. Edhe po, shkoj shpesh edhe te Kukësi, Tropoja, Hasi e Dragashi, se e kam një amanet prej shumë gjeneratash për atë kufirin atje!”, shtoi Sveçla.